E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat PD-LSI, riskojnë Ruli e Godo

TIRANË - Oreksi i Lëvizjes Socialiste për Integrim vazhdon të shtohet në drekat që kreu i kësaj partie, Ilir Meta, dhe Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, shtrojnë për njëri-tjetrin në përgatitje e sipër për qeverinë e re.


Pavarësisht se negociatat zyrtare PD-LSI do të nisin pas 20 gushtit, Berisha dhe Meta nuk kanë mbyllur ende skemën e përfaqësimit. Burime të mirëbesuara të gazetës "Shekulli", tregojnë se Meta vazhdon të kërkojë 4 portofole ministrore, që shpjegon thënien e vjetër të kësaj partie se, katër deputetët që fituan në zgjedhjet e qershorit, janë "të florinjtë".


Burimet theksojnë se synimi i LSI-së është për dikasteret që kanë më shumë tenderë, ndërsa nga bisedat aktuale, parimisht është rënë dakord për 2 dikastere.


Negociatat PD-LSI


Deri në këtë fazë negocimi dhe bisedash, në dreka e darka, mësohet se Berisha dhe Meta mësohet kanë rënë parimisht dakord (të paktën deri më tani) për dy ministri; atë të Ekonomisë dhe Energjetikës, si edhe Ministrinë e Shëndetësisë.


Por, nëse Ekonomia i jepet LSI-së, atëherë për ministrin në detyrë, Genc Ruli, do të bëhet gati një tjetër ministri, po aq e rëndësishme, por ende e pacaktuar. Kryeministri i vendit nuk ka gjetur një zgjidhje edhe me republikanët.


Burimet e gazetës theksojnë se ministrja aktuale e Shëndetësisë, Anila Godo dhe partia e saj, kërkojnë me fanatizëm këtë dikaster edhe për 4 vitet e ardhshme.


Kjo duket më së miri edhe në deklaratat publike të zyrtarëve republikanë, që dita-ditës i kujtojnë PD-së dhe Berishës, se ata janë aleati kryesor i djathtë dhe se u kanë dhënë demokratëve 4 deputetë, ndërsa ata do të përfaqësohen vetëm me një të tillë në Kuvendin e ardhshëm.


Por, që nga dita që Meta pranoi bashkëqeverisjen me Berishën, republikanët e kuptuan mirë se ata nuk janë më aleati kyç i demokratëve dhe kjo shenjë xhelozie nuk u kursye të thuhej në publik.


Raportet në PD


Fati i qeverisë së re Berisha-Meta është i paqartë edhe për shumë nga figurat e Partisë Demokratike, të cilat janë ende në pikëpyetje nëse do të jenë në kabinetin e ardhshëm ose jo. Deri më tani, një gjë është e sigurt, që Jozefina Topalli do të vijojë edhe 4-vjeçarin e ardhshëm në krye të Kuvendit.


Burimet tregojnë po ashtu se pjesa më e madhe e ministrave të qeverisë në detyrë, duke mos pasur të sigurt përfaqësimin në kabinetin e ardhshëm, po pushojnë si rrallëherë në Shqipëri. Ata po marrin rreze mes Durrësit dhe Vlorës, në pritje të një telefonate nga Doktori apo edhe të ndonjë mbledhjeje qeverie.


Në këtë kohë pushimesh, një lëvizje e gabuar e anëtarëve të qeverisë mund t'u kushtonte atyre përfaqësimin edhe për 4 vitet e ardhshme. Burimet e rezervuara thonë se një pjesë e mirë e ministrave janë në pikëpyetje, dhe se priten lëvizje edhe brenda qeverisë.


Deri më tani përflitet për një lëvizje të mundshme të Bujar Nishanit nga Ministria e Brendshme dhe Sokol Olldashit nga ajo e Transporteve. Ky i fundit mund të kalojë në një tjetër ministri.


Megjithatë, gjëja e parë dhe e sigurt që Berisha dhe Meta pritet të zgjidhin, është caktimi përfundimtar i numrit të karrigeve, që LSI-ja do të ketë rreth tryezës së Kryeministrit, si dhe pozicioni, që vetë Ilir Meta do të ketë në qeverisjen e ardhshme.

.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›