Eksperti Rrugor: Policia s'ka plan për sigurinë
Drejtori i Institutit për Sigurinë rrugore pohon se trafiku duhet disiplinuar me punë permanente
Koxhaj: Bilanci i këtij viti, ndër më të lartët për disa vite në vend
TIRANE- Drejtoria e Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, nuk ka mundur të menaxhojë dhe të administrojë si duhet trafikun në segmentet e rëndësishme rrugore në vend, çka ka sjellë edhe shtimin e aksidenteve dhe për pasojë numrin e madh të viktimave. Ky është konstatimi i Berti Koxhajt ish- kreu i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit.
Për këtë vit, vetëm gjatë muajit korrik, janë shënuar rreth 50 të vdekur e 60 të plagosur, që sipas tij është një shifër relativisht e lartë, çka sipas tij tregon një mungesë të angazhimit serioz dhe mungesës së një plani veprimi konkret të strukturave Policisë Rrugore.
Koxhaj më tej pohon se një fakt i tillë lidhet më tepër me mungesën e një plani konkret veprimi të strukturave të Policisë Rrugore, në lidhje me sezonin turistik apo mbërritjen e emigrantëve. Sipas tij është vërejtur një mungesë e koordinimit të punëve mes institucioneve të ndryshme në që kanë në varësi të tyre menaxhimin e rrugëve të sigurisë rrugore.
"Nuk ka pasur asnjë reagim të Ministrisë së Transportit, të Policisë Shtetit, përgjegjes për sigurinë rrugore në vend, për të mos folur më pas për programe e plane veprimi për të paraprirë këtë situatë apo për të parandaluar ngjarje të rënda. Sipas Koxhajt, mbledhja e një komiteti ndërministror, detyrat që mund të përcaktohen në të, pikërisht për sa i përket sigurisë rrugore, do të ishte i domosdoshëm.
"Çfarë më tepër se bilanci me 40 të vrarë e dhjetëra te plagosur në rrugët e vendit vetëm në nje muaj duhet për të sensibilizuar kryeministrin që të heqë nga axhenda një ditë inagurimesh për të mbledhur Komitetin Ndërministror të Sigurisë Rrugore".
Në këtë mënyrë, me një bilanc me 45 të vdekur dhe mbi 60 persona të të plagosur, që ka pasur muaji korrik, cilësohet si ndër më të rëndët që mund të ketë pasur ndonjëherë në vendin tonë.
Sipas Koxhajt, ky bilanc është kompleks që ka të bëjë me goditjen dhe ashpërsimin e masave ndaj kundravajtësve, me mungesën e sinjlatistikës rrugore horizontale e vertikal, e deri tek ndërhyrjet e herë pas hershme "të të fortëve", nëpërmjet titullarëve të institucioneve apo forma të tjera që ulin dinjitetin dhe autoritetin e punonjësit të policisë përballë drejtuesve të mjeteve që konstatohen me shkelje.
"është e papranueshme që të përurohen akse të ndryshme rrugore, disa prej të cilëve dhe nga kryeministri, ndërkohë që këto segmente janë të papërfunduar dhe pa asnjë lloj sinjalistike si element bazë i rregullimit të trafikut rrugor,- pohoi Koxhaj dje për gazetën "Shekulli".
Më tej ai shton se korriku është muaji me ngarkesën më të lartë sa i përket aksidenteve në rrugët e vendit, për shkak të shtimit të mjeteve të emigrantëve që hyjnë në territorin e vendit. Kjo situatë sipas tij, nuk mund të menaxhohet me veprime spontane për shkak të një aksidenti të rëndë me disa të vdekuir në një aks rrugor të caktuar në vend.
"Një situatë e tillë ka qenë vetëm në periudhën e verës së vitit 2007, kur Drejtoria e Policisë Rrugore u shkri dhe u bë një sektor për t'u riorganizuar më vonë në bazë të riorganizimit të ri Policisë së Shtetit. Në atë periudhë, numri i aksidenteve sipas ish- kreut të rrugorëve, ka qenë në nivele të larta por më i ulët nga numri aktual".
Taks- forca në rrugët e vendit
Pak ditë pas aksidenteve të rënda me disa të vdekur në vend, shefi i Policisë rrugore në Policinë e Shtetit, Shkëlzen Alia, njoftoi nisjen e Task- Forces rrugore në të gjithë vendin, me qëllim goditjen e vazhdueshme të shkëlësve dhe kundravajtësve në rrugë.
Alia, pohoi se do të kryheshin disa inspektime në të gjithë akset e vendit për të parë, se ku mund të ndërhyhej për të përmirësuar sinjalistikën dhe mbylljen e disa hyrje daljeve të hapura ilegalisht nga njerëz të ndryshëm.
Akset më problematike sipas tij ishin Tiranë- Durrës, Tiranë Shkodër Rrogozhinë- Fier dhe akse të tjera. Pas Task- forces, goditja e kundravajtësve në akse të ndryshme njohu rritje për shkak të gjobitjes dhe masave disiplinore në disa segmente.
Studimi i ISHP-së,
Një i vdekur dy të plagsour në ditë
Javën e kaluar Institutii Shëndetit Publik, njoftoi se në një studim të kryer prej tyre se çdo ditë në rrugët e vendit vdiste një person dhe dy të tjerë plagoseshin nga aksidentet.
Sipas studimit të ISHP-së, Rreth 40 % e aksidenteve rrugore, kishin si origjinë mungesën e sjelljes korrekte të kalimtarëv në rrugë, ndërsa në vend të dytë ishte mospërdorimi i rripit të sigurimit nga përdoruesit e rrugës. Në total sipas studimit, më tepër se 300 të vdekur dhe 600 të plagosur është numri i atyre që dëmtoheshin në aksidente.
Nga studimi meshkujt përdornin rripin e sigurimit më pak, ndryshe nga femrat që drejtonin automjete, por dhe e respektonin semaforin në udhë-kryqe më pak në raport me femrat.
Në bazë të këtij studimi të kryer nga specialistët e Shëndetit Publik, në të cilin u përfshinë rreth 300 studentë të Fakultetit të Mjekësisë, pritet të rekomandohen elementët e sigurisë rrugore që duhet të integrohen në disiplina të ndryshme të shkollave të ndryshme të vendit tonë nga shkolla e mesme e deri në arsimin e lartë.