E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat :Topi, kërkesë Berishës dhe Ramës: Më sillni propozimet

Presidenti Bamir Topi përmes ekspertëve u kërkon dy liderëve politikë, Berisha dhe Rama, që këtë periudhë kohe, deri në shtrëngimin e duarve, ta shfrytëzojnë për përpilimin e çdo propozimi që ata do të paraqesin në një tavoline përbashkët.
Para uljes në tryezën e bisedimeve, palët kundërshtare, PD dhe PS, duhet të bëjnë gati propozimet konkrete në tavolinën e kreut të shtetit Bamir Topi. Kjo është kërkesa e Presidentit Topi adresuar dy krerëve të politikës në vend, Sali Berishës dhe Edi Ramës, përmes ekspertëve me të cilët ai po kontakton për fiksimin e modaliteteve të tryezës së përbashkët për të zgjidhur ngërçin politik që ka shkak bojkotin e PS-së ndaj Kuvendit. Burime pranë kreut të shtetit bëjnë të ditur se z. Topi nëpërmjet ekspertëve u ka përcjellë mesazhin e qartë Berishës dhe Ramës që këtë periudhë kohe ta shfrytëzojnë për përpilimin e çdo propozimi që secili prej tyre do të paraqesë në tavolinën e negociatave. Burimet sqarojnë se z. Topi është në kontakt të vazhdueshëm me Berishën e Ramën, por ende në nivel mesazhesh dhe ekspertësh. Ditët në vijim do të intensifikohen këto kontakte me qëllim specifikimin e formulës së takimit Berisha dhe Rama ndërkohë që të dy liderët do të përfaqësohen me nga një ekip të tyre gjatë procesit të negociateve dhe finalizimi pritet të jetë pikërisht shtrëngimi i shumëpritur i duarve mes dy kundërshtarëve politikë në prani pikërisht të Presidentit Bamir Topi. Kreu i shtetit është shprehur i gatshëm të takohet me kryetarët e dy partive të mëdha politike Berisha dhe Rama. Në një njoftim zyrtar të Drejtorisë së Informimit Publik thuhet se Presidenti i Republikës, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës Edi Rama. Sipas njoftimit zyrtar, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”. Edhe Kryeministri Sali Berisha ka pohuar në mënyrë të qartë se është i gatshëm të ulet në negociata me kryetarin e PS-së, Edi Rama, por sipas tij, është e rëndësishme që ato të parapërgatiten në mënyrë të tillë që në fund të japin rezultat pozitive. Kurse kryetari socialist ka pranuar uljen në bisedime me Berishën me ndërmjetësimin e Topit, por duke pohuar se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e hapjes së kutive, ndërkohë që Berisha ka bërë të qartë se rinumërimi i votave do të jetë jashtë këtij diskutimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›