Bojkoti, PD: Ramës i intereson bojkoti, jo negociatat
Përmes deputetit Edi Paloka, demokratët akuzojnë kreun e PS-së se po tenton përmbysjen e qeverisë dhe se nuk po zbaton kërkesat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me situatën politike në Shqipëri. Sipas tij, fakti që Edvin Kristaq Rama po kërkon përmbysjen e qeverisë, jo nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së lirë, do të thotë se mentaliteti marksist i baballarëve është ende i gjallë tek çunat e rinj të Bllokut.Partia Demokratike i kërkoi dje PS-së që të nisë menjëherë zbatimin e rekomandimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke i dhënë fund bojkotit ndaj Parlamentit. Përmes deputetit Edi Paloka, demokratët akuzuan kreun e PS-së se po tenton përmbysjen e qeverisë dhe se nuk po zbaton kërkesat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me situatën politike në Shqipëri. Edi Paloka kritikoi kryesocialistin Rama për vullnet të munguar për të zbatuar, siç tha ai, rezolutën e Këshillit të Evropës dhe se gjithë synimi i tij është marrja e pushtetit në tavolinë. “Me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndërmend të zbatojë kërkesat e qarta të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për futjen e opozitës në Parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, - u shpreh z. Paloka. Sipas tij, fakti që Edvin Kristaq Rama po kërkon përmbysjen e qeverisë, jo nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së lirë, do të thotë se mentaliteti marksist i baballarëve është ende i gjallë tek çunat e rinj të Bllokut. Paloka bëri të qartë se Rama duhet të harrojë se nëpërmjet kërcënimeve për protesta dhe dhunë mund të impresionojë njeri. Reagimi i demokratëve vjen pasi kreu i shtetit deklaroi se po përgatiste tryezën nga ku pritet që nëpërmjet dialogut të arrihet marrëveshja që do t’i fuste deputetët e Partisë Socialiste në Parlament. “Rama po dëshmon se zgjedhja dhe përcaktimi i tij është politika e rrugës dhe jo institucionet demokratike dhe shteti ligjor", - u shpreh deputeti Edi Paloka. Sipas tij, po bëhet e qartë se kryetari i PS-së, Edi Rama, po kërkon vetëm pushtet në tavolinë dhe se me gjakftohtësi po djeg mandatet e deputeteve të PS-së. “Me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndërmend të zbatojë kërkesat e qarta të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për futjen e opozitës në Parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, - tha Paloka. Për PD-në Shqipëria është tashmë në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian dhe historia e dikurshme e etërve të çunave të rinj të Bllokut është thjesht një kujtim i hidhur për të gjithë shqiptarët, që nuk do të përsëritet më kurrë.