E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Negociatat me BE-në, MIE raporton për politikat e transportit dhe rrjetet trans-europiane

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kryesoi delegacionin shqiptar në takimin bilateral për kapitullin 14 “Politikat e transportit” dhe kapitullin 21 “Rrjetet trans-europiane”, si pjesë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, shkruan ATSH.

Gjatë këtij takimi, delegacioni shqiptar prezantoi nivelin e përafrimit të Shqipërisë dhe zbatimit të ligjeve të BE-së, në sektorët e transportit rrugor, sigurinë rrugore, hekurudhat, transportin e kombinuar, aviacionin, transportin detar, rrugët ujore të brendshme dhe rrjetet trans-evropiane, TEN-T.

Gjithashtu, delegacioni shqiptar paraqiti progresin e deritanishëm të Shqipërisë në kuadër të zbatimit të rekomandimeve dhe përmbushjes së detyrimeve të parashtruara nga Komisioni Evropian.

Progresi i pasqyruar, si dhe puna e bërë në të gjithë sektorët e transportit dhe TEN-T u mirëprit dhe u vlerësua nga ekspertët e Komisionit të BE.

Legjislacion i BE-së për transportin synon të përmirësojë funksionimin e tregut të brendshëm duke promovuar shërbime të sigurta, efikase dhe në mbrojtje të mjedisit e në të mirë të përdoruesit. Qëllimi i politikave të rrjeteve trans-evropiane (TEN-T) është të integrojnë një infrastrukturë evropiane ndërvepruese në fushat e transportit, energjisë dhe telekomunikacionit. Në këtë kuadër të identifikojnë standarde teknike dhe projekte prioritare me interes të përbashkët, si dhe të zhvillojë instrumente financimi për zbatimin e tyre.

Takimet bilaterale do të pasohen nga raporti screening i Komisionit Evropian, i cili paraqet rekomandimet për hapat pasardhës që duhen ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

( Marrë nga ATSH )

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›