E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat për MSA-në nisin në shtator

Të enjten e ardhshme (18 korrik) Kosovën do ta vizitojë edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle. Lajmin për “Epokën e re” e ka konfirmuar ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, e cila ka thënë se kjo vizitë në mënyrë simbolike do t’i shënojë relacionet e reja Kosovë-BE.
Po ashtu, ajo ka bërë me dije se Kosova do ta nisë negocimin e MSA-s me BE-në në muajin shtator

Çitaku ka thënë se vizita Fyles në mënyrë simbolike do ta demonstrojë momentumin e ri të relacioneve në mes të Kosovës dhe BE-së. “Ka qenë një muaj jashtëzakonisht dinamik në shkëmbim vizitash në mes të Kosovës dhe Brukselit. Për më pak se një muaj Kosovën po i bie ta vizitojnë tri personalitete kyçe të BE-së: presidenti Van Rompuy, baronesha Catherine Ashton dhe tani më 18 korrik Kosovën do ta vizitojë komisionari për zgjerim i BE-së, z. Stefan Fyle. Kjo vizitë edhe simbolikisht demonstron një dinamikë të re, një momentum të ri të relacioneve në mes të Kosovës dhe BE-së”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka treguar se qëllimi i kësaj vizite do të jetë përgëzimi i shoqërisë kosovare për marrjen e MSA-s dhe dialogu Prishtinë - Beograd. “Besoj se komisionari Fyle do të vijë në Kosovë fillimisht për ta përgëzuar shoqërinë kosovare për nisjen e një kapitulli të ri në mes të Kosovës dhe BE-së. MSA-ja është marrëveshja më e lartë aktuale që BE-ja nënshkruan me vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Menjëherë pas nënshkrimit të MSA-s një vend mund të aplikojë për statusin e kandidatit. Pra, është akti më i lartë para marrjes së statusit të kandidatit”, ka thënë ajo, duke shtuar se komisionari Fyle ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në përcjelljen e vullnetit dhe të përkushtimit të qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në BE.

Po ashtu, ajo ka deklaruar se qëllimi i kësaj vizite do të jetë edhe procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ka vlerësuar se ka ndikuar në krijimin e një klime pozitive brenda vendeve të BE-së. “Sigurisht se një pjesë e vizitës nuk ka dyshim që do t’i dedikohet edhe dialogut me Serbinë, i cili ka shërbyer si katalizator për krijimin e një klime më pozitive brenda vendeve anëtare të BE-së për ta konkretizuar agjendën evropiane për Kosovën”, është shprehur ministrja.

Negociatat për MSA-në nisin në shtator

Ministrja Çitaku ka treguar se në shtator pritet që Kosova ta fillojë negocimin e marrëveshje së MSA-së me BE-në. Ajo ka nënvizuar se edhe Komisioni Evropian është i interesuar që këtë proces ta realizojë me një dinamikë të përshpejtuar. Çitaku edhe një herë ka përsëritur se Qeveria e Kosovës i ka kryer të gjitha përgatitjet për këtë proces. “Presim që qysh në fillim të vjeshtës, në shtator të fillojë negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të mbahen takimet e para të grupeve. Ne kemi para vetes një agjendë shumë dinamike. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe Komisioni Evropian është i interesuar që këtë proces ta realizojë me një dinamikë të përshpejtuar”, ka vlerësuar ajo.

Në këtë kontekst, ministrja Çitaku ka deklaruar se në rast se do të arrihet të përmbushen kriteret afatmesme me të njëjtin përkushtim siç janë përmbushur kriteret afatshkurtra, në verën e vitit të ardhshëm do të përmbyllet negocimi i MSA-së. Sipas saj, tani shtetet anëtare të BE-së janë duke e harmonizuar tekstin e draftmarrëveshjes. “Tani Komisioni Evropian bashkë me vendet anëtare të BE-s janë duke e finalizuar tekstin e parë të draftmarrëveshjes dhe në shtator të fillojë negocimi i MSA-së”, ka thënë Çitaku. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›