E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia dhe Hungaria ndërmarrin hapa drejt pajtimit kombëtar

Kur Legvari Sandor ishte djalë i ri, i ati dhe hungarezë të tjerë etnikë u vranë në fshatin Curug të Vojvodinës.

Ishte 1944 dhe partizanët, partia në pushtet e Serbisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, vranë rreth 3000 hungarezë në akte hakmarrjeje për krimet hungareze kundër serbëve, romëve dhe çifutëve në Vojvodinë gjatë luftës.

Shtatë dekada më vonë, ka filluar procesi i shërimit në provincën veriore të Serbisë.

Një iniciativë e përbashkët midis Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës, dhe Partia Përparimtare Serbe që udhëheq parlamentin serb do të miratojë një deklaratë që dënon aktet kundër civilëve hungarezë në Curug në vitin 1944 dhe 1945. Deklarata është parë si një hap vendimtar drejt pajtimit ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, sidomos në Vojvodinë, ku 13 për qind e qytetarëve janë hungarezë.

Sandor, 80 vjeç, tha se hungarezët kanë ndërtuar përmendore vetëm për t'i parë ato të vandalizuara. Më 26 qershor, dy monumente janë përkushtuar në Curug, njëra e ndërtuar nga hungarezët për të nderuar serbët e vrarë në një bastisje të vitit 1942 nga hungarezët në magazinën Topalov, dhe tjetra e ndërtuar nga serbët për të nderuar hungarezët që u vranë në shenjë hakmarrjeje, pas Luftës së Dytë Botërore.

"Ne kurrë nuk e kishim menduar se kjo do të ndodhte dhe ne kurrë nuk kemi pritur që kjo të bëhej nga këto autoritete", tha Sandor për SETimes. "Tani, pas 70 vitesh pritjeje, dhe pas dekadash për rindërtimin e simboleve të shkatërruara dhe pas vdekjeve këtu, ne vetëm mund të kemi një ndjenjë të bukur dhe shpresojmë se kjo do të sjellë një të ardhme më të mirë dhe vlera të reja për disa breza të rinj".

Presidenti hungarez Janosh Ader dhe presidenti serb Tomisllav Nikoliç folën për rëndësinë e pajtimit kombëtar gjatë një vizite të përbashkët në Curug për të marrë pjesë në ceremonitë e kremtuara kushtuar monumentit.

"Sot ne i kthehemi njëri-tjetrit, ne shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe themi se ajo që kemi lënë pas për brezat e ardhshëm do të bëjë një ndryshim, dhe ne themi se ne vetëm mund të lëmë pas respekt të ndërsjellë dhe të vërtetën", tha Ader.

"Serbia është e angazhuar për të bazuar të tanishmen dhe të ardhmen e saj në parimet e lirisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë", tha Nikoliç. "Si anëtarë të një kombi të vjetër evropian, i cili ka vuajtur në raste të shumta në të gjithë historinë e saj, ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë dhe plotësisht të angazhuar për të dhënë kontributin tonë për zhvillimin e mëtejshëm të familjes evropiane të kombeve".

ebojsha Stefanoviç, kryetar i parlamentit serb, tha për SETimes se Deklarata që dënon dhunën kundër hungarezëve "është dëshmi se pajtimi është i arritshëm dhe rruga e vetme e drejtë drejt komunitetit të BE-së, për të cilën po përpiqemi të gjithë ne. Serbia është e gatshme të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së, si edhe për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me fqinjët e saj dhe për të kontribuuar në prosperitetin e tërë rajonit".

Oszkar Nikovitz, ambasadori i Hungarisë në Serbi, ka shprehur shpresën se Serbia do të vazhdojë të luajë një rol kyç në forcimin e marrëdhënieve rajonale.

"Ky është një model i mundshëm se si mund të kalohet mbi të kaluarën e dhimbshme. Nëse Serbia aplikon të njëjtën metodë me fqinjët e tjerë të saj me të cilët ajo ka pasur mosmarrëveshje historike, unë jam i bindur se ajo do të përmirësojë atmosferën e përgjithshme në rajon, kështu ajo do të bëjë një gjë shumë të mirë për reputacionin e vendit dhe ta sjellë atë më afër objektivit të saj: integrimin evropian", tha Nikowitz për SETimes.

Ai shtoi se pajtimi kombëtar do të jetë i rëndësishëm për minoritetin hungarez në Serbi. Nikowitz tërhoqi një paralelizëm mes përmirësimit të marrëdhënieve Hungari-Serbi dhe traktatit të vitit 1963 të Elisesë, që çoi në një epokë të re paqeje mes Francës dhe Gjermanisë.

"Dikush mund të krahasojë këto ngjarje vetëm me Traktatin e Elisesë 50 vjet më parë, kur Gjermania dhe Franca u zotuan për të lënë pas historinë, ose më mirë interpretimin e historisë, në punët e tyre politike. Dy vende qendrore evropiane kanë vendosur të bëjnë diçka të ngjashme këtu. Gatishmëria për t'u përballur me të kaluarën dhe dënimin e krimeve të [secilit vend] do të thotë se qeveritë tona do të kthehen drejt të ardhmes dhe do të punojnë për hapjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve tona të fqinjësisë së mirë, pa pasur më asnjë mosbesim", tha Nikovitz.

Qytetarët thonë se pajtimi do të krijojë një lidhje të fortë mes dy vendeve.

"Kjo është Vojvodina, ne jemi mësuar të jetojmë së bashku dhe të kuptojmë njëri-tjetrin në disa gjuhë, por për të pasur një të ardhme edhe më të mirë ne duhet të kemi disa kujtime për të shkuarën", tha për SETimes tha Slave Stankovski, 59 vjeç, një banor i Zrenjaninës. "Ne duhet të dimë se çfarë bënë disa prej nesh si dhe se çfarë na u bë neve. Ky është qëllimi i këtyre monumenteve, si dhe për të na paralajmëruar për të mos përsëritur gjëra të tilla kurrë më. Gjithmonë është bukur të thuash dhe të dëgjosh 'më fal'." /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›