E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nëkryetari Boçi: Ne kemi 23 deputetë, fakti që jemi dy grupe parlamentare e dëmton PD-në

Për gjendjen e brendshme në PD, Luçiano Boçi përdor një ngjuhë që synon të tregojë se demokratët nuk janë të ndarë.

Por ai e di se realiteti nuk është shumë rozë dhe këtë e provon në vetë të parë, që në momentin që strukturat e reja të PD e kanë zgjedhur kryetar të grupit parlamentar të PD, por ai nuk mund ta ushtrojë këtë funksion.

Për emisionin “Pa Censurë” si argument kryesor sjell dëmin që i bëhet PD nga sjellja si 1 parti me 2 grupe parlamentare.

“Zyrtarisht-politikisht jam kryetar i grupit. Zyrtarisht- parlamentarisht nuk jam kryetar i grupit. Në një normalitet politik, në një forcë politike nuk mund të ekzistojnë 2 grupe parlamentare. Kjo sjell një rënie të besimit të qytetarëve ndaj nesh. Ky është dëmi që na sjell, pasi kjo sjell edhe dëmin më pasoja elektorale të mbështetjes me votë.”- thotë zoti Boçi.

Që prej 9 shtatorit 2021, grupi që mbështet zotin Berisha është rritur me disa deputetë, por mesa duket akoma nuk ka arritur shumicën prej 27 deputetësh, pa llogaritur aleatët, që janë në listat e PD.

“Nuk e shoh suksesin tek numrat. Si kryetar i grupit unë komunikoj me të gjithë deputetët, ndërsa zoti Alibeaj jo, pasi i konsideron akoma të përjashtuar disa deputetë. Deri tani në mbledhjet e grupit parlamentar në seli marrin pjesë 23 deputetë”- tha zoti Boçi, i cili ka edhe një thirrje për gjykatën që të mos zvarrisë më vendimin për PD.

“Statuti i PD e përcakton se kush është kryetar grupi. Nuk e quaj këtë çështje një proces gjyqësor, por një artificë, që duhet zgjidhur në mënyrën më urgjente të mundshme. Rama e komandon këtë pengmarrje nëpërmjet një artifice gjyqësore, që nuk duhet të ekzistojë”- theksoi zoti Boçi në emisionin, “Pa Censurë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›