E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nën akuzë për fshehje pasurie, SPAK çon për gjykim deputetin Asllan Dogjani

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani është dërguar për gjykim nën akuzë për mosdeklarim të pasurisë.

Pas hetimit pasuror, SPAK ka dërguar dosjen në GJKKO ku tashmë pritet të vendoset seanca paraprake për të vlerësuar nëse kalon ose jo për gjykim.

Dogjani, në prononcimet për mediet ka pranuar se është nën hetim pasuror nga SPAK, që e akuzon se nuk ka deklaruar shtëpinë 100 metra katrorë që ka blerë në vitin 2006.

Sipas Dogjanit, kallëzimi u bë nga ndërtuesi Ilirian Çelaj, të cilin ai e quan ‘zaptues’ pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon duke e kthyer në parkim me pagesë.

SPAK: Kontratë fiktive për deklarimin e apartamentit

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Asllan Dogjani, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

SPAK njofton se i pandehuri Asllan Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë.

“Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Po ashtu, bëhet e ditur se në mbështetje të këtij deklarimi, Dogjani paraqiti kontratën tek e cila u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

“Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë,  përmes pagesave cash”, thuhet në njoftim.

Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›