Seanca e parë në Kuvend pas 11 muajsh, Berisha: Unë hyj, “Metamorfoza” del

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është rikthyer sot në Kuvend pas 11 muajsh mungesë si pasojë e masës së arrestit të shtëpisë dhënë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai mbërriti i shoqëruar nga disa deputetë demokratë, teksa u shpreh në një prononcim për mediat se, “Berisha futet, metamorfoza del”.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi më 27 nëntor lirimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) akuzon Berishën, si dhe dhëndrin të tij Jamarbër Malltezi, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të sportit “Partizani”.
Akuzat që SPAK ka ngritur për Berishën dhe dhëndrin e tij janë nga shpërdorimi i detyrës, te korrupsioni dhe pastrimi i produkteve të veprës penale. /j.p/