Nën “ethet” e Junior Eurovision Song Contest, 2 mënyra për ta votuar Kejtlin Gjatën

Dita e madhe për të gjithë fansat e Junior Eurovision Song Contest ka ardhur. Këtë të diel do të zhvillohet Finalja e Madhe e Festivalit Muzikor Europian për Fëmijë, i cili zhvillon edicionin e tij të 20-të në Armeni.
Festa do të nisë në orën 16:00, ku 16 vende do të “luftojnë” për vendin e parë dhe fitoren e lakmuar në Junior Eurovision 2022.
Përfaqësuesja e Shipërisë, Kejtlin Gjata, do të performojë “Pakëz diell” e shtata në radhë, ndërsa tashmë është bërë publike edhe mënyra sesi mund ta mbështesni atë.
Votimi për këngën fituese po kryhet online dhe është hapur që ditën e premte (9 dhjetor) në orën 20:00 dhe mbyllet sot, pak para fillimit të Festivalit. Po ashtu votimi do të zhvillohet edhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, ku do të hapet pas performancës së vendit të fundit dhe do të zgjasë rreth 15 minuta.
Vota e publikut do të jetë mjaft e rëndësishme për vendimmarrjen, pasi do të vendosë 50% të rezultatit final, ndërsa 50% i mbetur vendoset nga votat e jurive të secilit vend.
Publiku do të votojë në dy website: www.jesc.tv dhe https://vote.junioreurovision.tv/.
Kejtlin Gjata arriti të fitonte “Junior Fest 2022”, nga 20 këngët pjesëmarrëse në festivalin kombëtar për fëmijët e moshave 9-14 vjeç, që u zhvillua ekskluzivisht nga RTSH si përfaqësues dhe anëtar i EBU-së.
/rtsh.al/