E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nën hetim nga SPAK? Beci: Nesër zgjidhem unë President i Amerikës, jam i pëlqyeshëm për të dyja palët

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka reaguar në rrjetet sociale, pasi në media u raportua se është vendosur nën hetim nga SPAK.

Duke shmangur komentet për hetimin nga prokuroria, Beci është përqendruar te aludimet për dorëheqjen e tij.

Kreu i bashkisë Shkodër reagoi me ironi duke thënë se dorëheqja e tij ishte sekret deri nesër, pasi “do të zgjidhet President i Amerikës ”.

“Nuk e di ku dreqin e kanë marrë vesh disa portale që kam dhënë dorëheqjen se ishte sekret deri nesër! Po tani që doli po e them edhe arsyen: Nesër zgjidhem unë President i Amerikës me kërkesë të dy kandidatëve të tjerë, meqë e tregova në Shkodër se jam i pëlqyeshëm për të dyja palët”- shkruan Beci me ironi.

Pak ditë më parë Beci u paraqit në SPAK, ndërsa sipas mediave dyshohet për shkelje të kryera gjatë detyrave të mëparshme, jo si kryebashkiak i Shkodrës. Avokati i tij është njohur me dosjen.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›