E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nën hetim për korrupsion, caktohet “arrest në shtëpi” për avokatin

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar masën e sigurisë të caktuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj një avokati të akuzuar për korrupsion.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi më 9.9.2025, përmes vendimit nr. 91, caktimin e masës “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit B. L., me profesion avokat.

Kjo masë është kërkuar pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të cilat mbështeten në prova, se personi nën hetim ka kryer veprën penale: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Masa është ekzekutuar sot me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sa i përket procedimit penal, SPAK bën të ditur se në datën 27 nëntor 2024 ka regjistruar procedimin penal nr. 242, mbi kallëzimin e shtetasit me iniciale S.C, për veprat penale:

“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”;

“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet proaktive, të cilat u kryen nga hetues të Byrosë Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Përgjithshme Policisë së Shtetit, rezultoi se në datën 13.12.2024, i hetuari ka marrë shumën prej 8.000 euro (fakt i dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit).

Kjo shumë është marrë me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Çështja kishte të bënte me veprat penale, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim. “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet kanë provuar se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit e tij, S. C. Ky premtim nuk është realizuar.

/gj.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›