E Hënë, 2 Nëntor 2026

INSTAT: Rritje e punësimit në tremujorin e dytë të vitit 2025

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Në tremujorin e dytë të vitit 2025, numri i të punësuarve u rrit me 0,5% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, ndërsa në raport me tremujorin e parë 2025, është ulur me 0,4%.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), shkalla zyrtare e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 69,1%.

Në raportin e INSTAT theksohet se numri i të papunëve është ulur me 0,1% nga tremujori i mëparshëm, ndërsa në raport me të njëjtin tremujor të një viti më parë ka mbetur i pandryshuar, duke e çuar në 8,5 % shkallën zyrtare të papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15–64 vjeç është 76,2% në tremujorin e dytë. Ky tregues është rritur me 0,6% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024, ndërsa për tremujorin e parë 2025 është ulur me 0,5%.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,1%, ndërsa për burrat ky tregues është 82,6%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,5 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 0,9 pikë% dhe për burrat me 0,3%.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 51,5%.

Ky tregues është ulur me 3,0% si në tremujorin e dytë të vitit 2024, ashtu edhe me tremujorin e mëparshëm. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2025, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 85,4%.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart është 58,4%. Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2024 në tremujorin e dytë 2025, është ulur me 0,9%. Në terma vjetorë, punësimi është ulur me 7,5% në sektorin e bujqësisë dhe me 3,8% në sektorin e industrisë, ndërsa është rritur me 6,2% në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2025, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart është rritur me 0,2%. Punësimi ulet me 1,1% në sektorin e bujqësisë dhe me 1,2% në sektorin e industrisë, ndërsa është rritur me 1,8% në sektorin e shërbimeve.

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, shkalla zyrtare e papunësisë është 7,5% për burrat dhe 9,8% për gratë.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, shkalla e papunësisë është rritur me 0,7% për gratë, ndërsa është ulur me 0,5% për burrat.

Shkalla e papunësisë për të rinjtë 15–29 vjeç është 15,1%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024, ky tregues është ulur me 3,3 pikë përqindje, dhe në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025 është ulur me 2,8 pikë përqindje.

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, 17,4% e popullsisë ekonomikisht joaktive në moshë pune (15–64 vjeç) është e angazhuar për të përmbushur detyrat shtëpiake, 10,8% është në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 15,1% është në paaftësi të përhershme për punë.

Gjithashtu, 2,3% e popullsisë ekonomikisht joaktive në këtë grup-moshë deklaron se nuk po kërkon punë pasi beson se nuk ka punë të disponueshme, dhe për këtë arsye klasifikohet si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72,8% të të rinjve ekonomikisht joaktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht joaktivë, 0,9% klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 14,6% të popullsisë ekonomikisht joaktive të kësaj grup-moshe.

/k.s//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›