E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën lëkurën e Andre Roussin

Gazeta Shqip

Dramaturgu më i njohur francez pas Luftës së Dytë Botërore, André Roussin, do të vijë premierë në skenën e Teatrit të Komedisë nga Sesilia Plasari

Andre Roussin Dramat e Andre Roussin Plasari_2

Sesilia Plasari do të donte të mos e linte Francën, pa parë në skenën e një teatri një vepër të André Roussin. Dramaturgu i njohur francez, i periudhës pas Luftës së Dytë Botërore e shihte teatrin si një formë përmes së cilës mund të evoluonin mendësi, apo të ndryshonte këndvështrime. Gazetar, dramaturg, drejtues trupe teatrore dhe aktor, Roussin kishte prekur në jetën e tij të gjitha ato elemente që të çojnë drejt teatrit, për të gjetur te secila prej tyre atë çfarë do ta bënte dramaturgjinë e tij të kishte një forcë të veçantë. Ndoshta se teatri i tij dilte prej fletëve të bardha ku ai ndërtonte dialogët, po aq i gjallë sa do të ishte në një skenë. Në një nga dhomat e Teatrit të Komedisë, Sesilia Plasari, në rolin e regjisores, po mundohet ti japë jetë një prej pjesëve më të komentuara të këtij dramaturgu, Kasollja e vogël. Me manuskriptin në duar, ajo ndjek çdo ditë provat me aktorët e përzgjedhur për këtë vepër që pritet të ngjitet shumë shpejt në Teatrin e Komedisë. Aktorët e zgjedhur nga Plasari për të ndërtuar subjektin e Roussin janë: Genci Fuga, Florian Agalliu, Lulzim Zeqja dhe Ina Gjonçi. Plasari kërkon ta mbajë surprizë subjektin e kësaj komedie, dhe pse Roussin njihet si një komedi romantike. Ajo thotë vetëm se janë tre veta, të ngujuar në një ishull të shkretuar, duke bërë dhe ribërë botën Kjo është përvoja e saj e dytë me një vepër të Roussin, pas komedisë Nina po nga ky autor, të cilin e ngjiti më 2009-n në Teatrin e Korçës. Nina fliste për një grua të martuar që krijon një lidhje dashurie në kërkim të lirisë dhe lumturisë. Lidhja e Plasarit me veprën e Roussin nuk është vetëm si regjisore, por edhe si përkthyese. Ajo është futur nën lëkurën e Roussin, duke e zbuluar atë që përmes fjalëve, duke u ndier kështu më e sigurt në mënyrën sesi personazhet e tij do ti ngjisë në skenë… Andre Roussin lindi në Marsejë më 22 janar 1911 dhe u nda nga jeta më 3 nëntor 1987. Veprat e tij konsiderohen gjithnjë si rizbulim nga regjisorët e rinj të teatrit.

Pas një përvoje në Francë, vendosni të ngjisni në skenën e Teatrit të Komedisë një dramaturg si Andre Roussin. Çfarë ka arti i Roussin?

André Roussin është autori dramatik francez më i shquar e më i suksesshëm i periudhës menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u shqua për komeditë e tij romantike, të cilat rrokin subjekte që rrallë ishin prekur më parë, dhe afirmojnë pikëpamje jashtëzakonisht progresiste për epokën. (Nuk e di nëse ka ardhur koha që në vendin tonë pikëpamjet e tij të përqafohen lehtësisht, ne po provojmë vetëm ti paraqesim). Autorin, në të gjitha shkrimet e tij, e ka karakterizuar një vendosmëri e madhe për të ndikuar në evoluimin e mendësive dhe rishikimin e tabuve, duke u munduar tu komunikojë masave nocione filozofike. Dhuntia e sigurt për të ndërtuar efektin komik duke mos u shkëputur nga realizmi dhe finesa e madhe, në penelatat me të cilat pikturon karakteret, i bëjnë veprat e André Roussin-it arritje të mëdha, jo vetëm dramaturgjike, por edhe letrare. Nëse do ta përmblidhja në tri fjalë se çmë josh te ky autor, do të ishin: filozofia, psikologjia, humori i tij. Por do të më mbetej merak edhe një e katërt: finesa.

Çfarë e bën ndryshe dramaturgjinë e Roussin, një akademik në jetën e tij. Çfarë ndjeshmërie përcjell?

André Roussin ishte gazetar, drejtues trupe, aktor, por aktiviteti që e bëri të fitonte nderimin dhe privilegjin e madh të ishte një ndër anëtarët e Akademisë Franceze ishte shkrimi teatral. Më të rrallë në Akademinë Franceze janë pranuar anëtarë nga mulliri i teatrit. Pra André Roussin nuk ishte një akademik që shkruan teatër, por një autor teatri që cilësohet akademik, për cilësinë e veprave të veta. E veçanta e tij është që ai, duke trajtuar subjekte shumë të thjeshta, gjoja të pakonsiderueshme, e megjithatë të ndërtuar me perfeksion, angazhon një analizë tejet të rafinuar të psikologjisë së personazhit. Kjo analizë demaskon të gjitha mekanizmat e fshehta të njeriut dhe humori buron nga lakuriqësia, nga brishtësia e tij. Është një humor i dubluar me dashuri. Normalisht, pjesët e André Roussin-it, kur janë të luajtura si duhet, të bëjnë për të qeshur e për të qarë njëkohësisht.

Pse zgjodhët Kasollen e vogël, diçka mbi subjektin e kësaj vepre?

Unë kam një thes me vepra të mrekullueshme të përkthyera, të cilat ëndërrojnë të flasin shqip me zë të lartë. Kasollja ishte njëra prej tyre. Faktin që ajo qëlloi zgjedhja e radhës, e vendosi buxheti: me aq pak para sa kishim, mund të vinim vetëm këtë. Për sa i përket subjektit, do të doja të mbetej surprizë. Megjithatë po them vetëm kaq: janë tre veta, të ngujuar në një ishull të shkretuar, duke bërë dhe ribërë botën

Kjo pjesë është vendosur mbi 1500 herë në skenën teatrore. A keni parë ndonjë interpretim të kësaj pjese në ndonjë teatër francez, dhe cili do të jetë koncepti juaj regjisorial në shqip. A do të ketë elemente të realitetit shqiptar?

1500 herë vetëm në Francën e asaj kohe. Por ajo është përkthyer dhe vënë në skenë në shumë vende të botës, është xhiruar film në Hollivud, ndonëse amerikanët, shumë moralë, ia kishin ndryshuar, zbutur subjektin. Dhe surpriza e kënaqësia ime ishte e madhe kur mësova se edhe Peter Brook, regjisori e teoricieni që unë e kam aq për zemër, e ka vënë në skenë, në Londër, në rininë e tij. Unë nuk kam parë asnjë pjesë të André Roussin-it të vënë në skenë në Francë, madje nuk arrij ta kuptoj, se si ky autor, gjenial për mendimin tim, nuk është rivlerësuar ende me tërë rëndësinë e tij. Jam e sigurt se në të ardhmen ai do të marrë një rëndësi shumë më të madhe në historinë e dramaturgjisë. Ai vetë thoshte: Francezët e konsiderojnë të qeshurën jo serioze dhe presin që autorët e komedive të vdesin, ndonjëherë edhe prej shumë kohësh, për tju dhënë vendin që meritojnë. Për sa u përket elementeve shqiptare: Po, do të jetë gjaku i aktorëve (qesh), të cilin po përpiqemi ta hollojmë se, në këtë pjesë, asnjëri nga personazhet nuk do të donte të luante vetveten. Të qenët francez na është pra, i domosdoshëm, se vetëm kështu mund të pranojmë të fillojmë tu besojmë rrethanave. Për konceptin, nuk mund të flas dot më gjatë, se duhet të hyj në hollësirat e veprës. Them vetëm se trajtimi është realist, duke shpresuar se përveç se kaq, ai do të jetë edhe magjik (qesh).

Cili për ty është personazhi më i dashur në veprat e Roussin?

Kam shumë personazhe të dashura E ka këtë të veçantë vepra e Roussin-it, që ata të gllabërojnë, të joshin, të bëhen si miq. Në pjesën që po vë më duket se gjej gjëra nga vetja në secilin prej personazheve dhe, besoj se, do të duan apo jo ta pranojnë, edhe spektatoret do ta hedhin dashurinë nga njëri personazh te tjetri pa mundur dot ti ndajnë ata. Por ajo që do të më duhet të mbroj më mirë është personazhi i Suzanës! Eh! Nuk jemi në Francë këtu! Dhe ajo, e vogla ime, rrezikon të stigmatizohet më kollaj!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›