E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e dashurisë

Viti 2010 është shpallur nga Presidenti Sejdiu si Viti i Nënës Terezë.

Njëri prej biografëve më të njohur të saj, Don Lush Gjergji, tregon në një intervistë për Express se çfarë aktivitetesh do të organizohen gjatë këtij viti, për vizitat e saj në Kosovë, për vizitën tek varri i Enver Hoxhës, për pasionin e saj për poezinë, për ndërtimin e katedrales me emrin e Nënës Terezë dhe për mundësinë e kthimit dhe vendosjes së relikteve të saj në këtë katedrale.

Viti 2010 nga Presidenti Sejdiu është shpallë si vit i Nënës Terezë, pasi që përkon me 100 vjetorin e lindjes së saj. Ju jeni anëtar i Këshillit Organizativ të themeluar nga Ministria e Kulturës për shënimin e këtij përvjetori. A mund të na i tregoni disa prej aktiviteteve kryesore që do të mbahen gjatë këtij viti?

Don Lush Gjergji: Në rend të parë duhet të themi se data me të cilën u dekretua me dekretin presidencial është 10 dhjetori 2009, sepse përputhej me 30 vjetorin e shpërblimit Nobel të Nënës Terezë dhe ishte një propozim, një nismë e imja, të cilën edhe Këshilli Organizativ edhe presidenti Sejdiu e pranoi që ta bëjmë publike, jo vetëm për Kosovën por edhe botën dhe të them të drejtën pati një jehonë shumë të mirë. Zëri i mirë mbërrin larg, ka mbërritur deri në Indi, deri në Kalkutë, deri në Nju Delhi, mos të them më vonë deri në qendrat tjera dhe miq dhe dashamirë të Nënës Terezë e kanë çmuar lart këtë nismë tonën dhe këtë shpallje të vitit të nënës Terezë.
Ky vit do të përfshijë veprimtari të ndryshme. Do të këtë çdo muaj një ngjarje, e cila do të jetë kulmore apo qendrore. Përpos asaj mund të ketë edhe veprimtari të ndryshme. Po ashtu dëshirojmë që pjesëmarrëse e këtij viti të jetë edhe Shqipëria, prandaj në atë moment kur do ta kemi të përpunuar në hollësi projektin tonë për vitin 2010 do t’ua mundësojmë edhe Shqipërisë që mos të ketë mospërputhje mes datave të ndryshme, por në kremtimet tona të mund të vijnë nga Shqipëria, eventualisht nga Maqedonia, dhe të njëjtën gjë ta bëjmë dhe anasjelltas.
Do të ketë disa botime apo ribotime, për shembull do të ribotohet libri im “Nëna e dashurisë” në 2000 kopje në gjuhën angleze, për t’ua mundësuar Presidencës, Kryeministrisë, Ministrit të Kulturës, Ambasadave të ndryshme të Kosovës që janë hapur që gjatë vitit 2010 t’u jepet një dhuratë, një shenjë, një shpërblim dhe një falënderim miqve dhe dashamirëve ndërkombëtarë me një libër i cili flet për Nënën Terezë, është i shkruar nga një shqiptar dhe është i shkruar në gjuhën angleze, e cila pak a shumë tash është gjuha e komunikimit. Përpos kësaj, unë kam përgatitur një tekst të posaçëm për 100 vjetorin e lindjes së Nënës Terezë dhe ky tekst përfshin disa njësi. Njësia e parë është ambienti iliro-shqiptar i cili e ka lindur dhe e ka qitë në dritë Nënën Terezë, me një paraqitje panoramike të asaj çka janë dy mijë vitet e krishterimit tek ne. Pastaj rrethi ngushtohet në dy famulli të cilat kanë pasur ndikim të posaçëm në familjen Bojaxhiu dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gonxhe Bojaxhiun, kurse rrethi i tretë është familja Bojaxhiu dhe jeta e Nënës Terezë.
Në pjesën e dytë të këtij libri përpunoj atë çka është quajtur errësira në jetën e Nënës Terezë, apo vuajtja, mundimi, në terminologjinë e krishterë Kryqi, në jetën e saj. Ajo pas tri vegimeve që i pati dhe thirrjes që ta braktiste kuvendin e Motrave të Loretos për një kohë të gjatë nuk e pati më atë kënaqësi dhe atë entuziazëm që e kishte kur e braktisi përfundimisht rregullin e Loretos dhe themeloi Misionaret e dashurisë me 7 tetor të vitit 1950. Që atëherë Nëna Terezë është identifikuar me të vuajturit në trup apo në shpirt dhe ajo ka pasur një lloj vuajtje dhe errësire shpirtërore si sprovë për të qenë e për t’u dëshmuar besnikëria dhe dashuria që e ka për Zotin dhe për njeriun. Dhe këtu e bëj analizën çka do të thotë misticizmi i krishterë, apo vuajtja, pësimi, mundimi me Krishtin për të qenë e afërt edhe me të varfrit. Nëna Terezë e definonte shumë bukur këtë gjë, thoshte ‘të varfrit janë të detyruar që të vuajnë sepse s’mund të jenë ndryshe, fatkeqësisht janë të varfër, kurse ne jemi të varfër për të treguar dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj të varfërve’. Përveç kësaj, do të kemi sigurisht edhe botime tjera.
Aspekti tjetër është se do ta kemi Javën e filmit dokumentar kushtuar Nënës Terezë me filma të ndryshëm dokumentarë që janë bërë. Kemi pasur para disa kohe Gjon Kolndrekën, regjisorin tonë të famshëm me prejardhje nga Peja, i cili më së tridhjetë vite punon në Rai Uno të Italisë dhe ka bërë dokumentar të jashtëzakonshëm mbi Nënë Terezën. Ai ka ardhur dhe kemi pasur disa takime edhe me ministrin e kulturës Valton Beqiri, por edhe me institucione tjera që eventualisht të fillojmë të bëjmë një film artistik shqiptar kushtuar Nënës Terezë. Kjo nuk e di se a do të arrihet sepse kërkon edhe financime por edhe kohë. Do të kemi pastaj koncerte të ndryshme kushtuar Nënës Terezë, do të kemi simpozium ndërkombëtar ku do t’i ftojmë emrat më eminent të autorëve apo biografëve të Nënës Terezë.
Manifestimet do të jenë të karakterit kulturor dhe shpirtëror me një dëshirë që populli shqiptar si pasardhës shpirtëror të jetës dhe veprës së Nënës Terezë të frymëzohemi me ato motive që ishin për të lajtmotiv, motiv të jetës, dhe kjo ishte dashuria e cila iu dhurohet atyre që s’kanë askënd dhe asgjë.

Ju jeni ndër biografët më të njohur të Nënë Terezës, me ç’rast jeni marrë më shumë me origjinën e saj. Dihet se ajo ka qenë shqiptare, është lindur në Shkup, ka jetuar në Indi dhe shpeshherë ka pasur ballafaqime në mes të këtyre vendeve se kujt i takon Nënë Tereza. Sipas jush, kujt i takon më shumë Nënë Tereza?
Don Lush Gjergji: Ajo vetë ka qenë shumë e qartë çdo herë, edhe në momentin më kulmor të jetës së saj tokësore pas marrjes së shpërblimit Nobel ku unë e pyes para më së 1200 gazetarëve të akredituar që ishin në Oslo për të përcjellë shpërblimin Nobel të saj, ‘kush jeni ju Nëna Terezë dhe çfarë është lidhja e juaj me popullin shqiptar’ dhe ajo së pari e tha shqip, pastaj e përktheu anglisht dhe së fundi e shkroi ‘unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar’ atë tekst të cilin me rastin e akademisë ua kemi dhuruar të gjithë pjesëmarrësve dhe e kemi bërë publike. Nëna Terezë jo vetëm në atë rast por në çdo rast, tekefundit dhe vetë lumturimi i saj që ishte në Romë në tekstin zyrtar të Vatikanit citohet ‘me origjinë apo me prejardhje e me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi jam nga India, kurse zemra ime i takon zemrës së Krishtit dhe kushtimi im është për të varfrit e botës’. Prandaj këtu nuk ka asnjë lloj dyshimi dhe prej librit tim të parë “Nëna jonë Terezë” në vitin ’80, i cili është botuar diku në 15 gjuhë e tutje, historiografët apo biografët e mirëfilltë të Nënës Terezë i marrin dhe i citojnë studimet dhe burimet e mia, të cilat fatbardhësisht kam pasur rast dhe mundësi t’i kem të drejtpërdrejta prej Nënës Terezë, prej vëllait të saj Lazër Bojaxhiut, prej kushëririt të saj dhe moshatarit me të cilin kishte një vjet dallim, Lorenc Antonit, kompozitorit të madh dhe prej njerëzve të tjerë të cilët e kanë njohur drejtpërsëdrejti dhe në mënyrën më të mirë e më të drejtë.

Çfarë përfaqëson sipas jush Nënë Tereza?
Don Lush Gjergji: Mendoj se Nënë Tereza përfaqëson tiparet e traditës dhe kulturës më të mirë shqiptare. Aty vjen në shprehje mirësia, bujaria, mikpritja shqiptare, sidomos aftësia për t’u flijuar dhe për t’u dhuruar, kujdesi për të tjerët, sidomos për njerëzit e lënë, të cilat i ka në shpirt çdo njeri. Unë shpeshherë kam thënë dhe në këtë rast duhet ta përsëris atë çka kam thënë disa herë dhe kam shkruar, ‘çdo bijë, çdo motër dhe çdo nënë shqiptare në miniaturë, thënë figurativisht, bën atë çka Nëna Terezë ka bërë në dimensionet botërore’. Sepse nëse merret paralelizmi, nëna e Nënës Terezë Drane Bernaj Bojaxhiu ka bërë me mundësitë e saj në Shkup dhe përreth gjithë ato çka Nëna Terezë ka bërë në dimensionet botërore. Prandaj Nëna Terezë mendoj se na përfaqëson në mënyrë të mrekullueshme ato vlera dhe virtyte që na kanë bërë të jetojmë dhe të mbijetojmë dhe të dallohemi nga popujt tjerë.

Errësira e zemrës

E përmendet më herët ‘errësirën e zemrës’. Para dy viteve është botuar një libër me letrat personale të Nënës Terezë.
Don Lush Gjergji: Po, libri i patër Brian Kolodiejchuk, i cili është edhe postulator, d.m.th. i caktuari prej Selisë së Shenjtë që të hulumtojë. Unë këto gjëra i kam ditur por s’kam qenë i autorizuar t’i botoj se shpeshherë i kemi biseduar dhe kam edhe unë letra të pabotuara, korrespodencën që Nëna Terezë e ka pasur më vëllanë Lazrin, me nënën Drane apo me motrën Age. Unë i kam si një pronë, si një kënaqësi timen personale por edhe për kishën tonë dhe popullin tonë.
Në këto letra hetohet një gjë se Nëna Terezë ka pasur sprova të mëdha dhe nuk ka pasur më atë kënaqësi që e kishte përpara në jetën shpirtërore. Dhe kjo është sprova apo sfida që Zoti ia kishte lëshuar apo treguar dhe madhështia e Nënës Terezë është se edhe në këto rrethana ajo mbeti besnike dhe ajo deri në fund i mbeti besnike dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj më të braktisurve apo të varfërve prej më të varfërve në botë. Dhe kjo është shenjë e një shenjtërie apo, si thuhet në terminologjinë kishtare, e një misticizmi. Kush janë mistikët? Janë shenjtërit të cilët kanë dashur të vuajnë për dashuri ndaj Zotit dhe për dashuri ndaj të varfrit dhe Zoti iu ka dërguar sprova të ndryshme në trup apo në shpirt dhe ata kanë qenë të lumtur që mund të jenë pjesëmarrës të kësaj vuajtjeje shelbimprurëse. Prandaj te Nëna Terezë këto letra e bëjnë atë më të madhe dhe më të fuqishme dhe më të aftë për të vuajtur, për t’u flijuar dhe për t’iu dhuruar Zotit nëpërmes njeriut dhe njeriut nëpërmes Zotit. Mu për këtë, pjesën e dytë të librit tim ia kam kushtuar këtij botimi, duke analizuar përse u botua dhe çka janë risitë e këtij libri sepse shumëkush i cili nuk e kupton botëkuptimin e krishterë filloi ta lexojë apo ta interpretojë gabimisht kinse Nëna Terezë ka shkuar aq larg saqë ka dyshuar edhe në vet praninë apo ekzistencën e Zotit edhe në vet thirrjen e saj.
Kur e kam pyetur se a ka qenë e kënaqur dhe e lumtur në gjithë atë që e ka bërë, ajo më është përgjigjur ‘unë e kam ditur se çka duhet të bëj, të dal prej Kuvendit të Loretos, t’i kushtohem të varfërve dhe kurrë asnjë sekondë nuk kam dyshuar se kjo është thirrja e Zotit. Ky është urdhër hyjnor’. Prandaj Nëna Terezë edhe këtu e dëshmon një fuqi të jashtëzakonshme të atyre dy shtyllave të cilat e bëjnë Nënën Terezë të madhe, që janë feja dhe dashuria, sepse pa fe do të ishte e pamundshme dashuria dhe pa dashuri do të ishte e pamundshme feja. Te Nëna Terezë Zoti dhe njeriu nuk ndahen kurrë, feja dhe dashuria janë si dy binjakë të cilët në paralelizëm e ndihmojnë atë për të vepruar me ato kategori të cilët bota tashmë i ka braktisur.

Këto momente në teologji njihen si ‘nata e errët e shpirtit’.
Don Lush Gjergji: Po, errësira e shpirtit, errësira e zemrës, sprova, vuajtja, kryqi. Kjo është një pjesëmarrje e vullnetshme që disa shenjtër kanë pasur kërkesë dhe e kanë lutur Zotin ‘ma dhuro kryqin tim’ e kryqi është simboli i vuajtjes, i pësimit. Te disa të tjerë ka qenë që Zoti i ka sprovuar dhe ata kanë pranuar. Te Nëna Terezë hetohet edhe njëri element edhe tjetri. Ajo ka dashur që të jetë e identifikuar me ata që vuajnë në trup apo në shpirt. Ajo ka dashur të jetë pjesëmarrëse, për këtë arsye e ka identifikuar vetveten me kategoritë më të braktisura, më të varfra, më të mjera, sepse në kushtetutat e saj ajo e definon vetveten por edhe motrat e saj ‘ne nuk duam të kemi asgjë më tepër sesa kanë të varfrit, por duam të jetojmë si të varfrit prej më të varfërve’. Me gjithë sprovat që i ka pasur ajo mbeti gjithmonë besnike dhe kurrë nuk dyshoi në planin apo vullnetin e Zotit.

Në një rast ajo ka thënë ‘nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtore unë do të jem e atyre të errësirës’.
Don Lush Gjergji: Po, ‘do të jem gjithmonë jashtë parajsës, figurativisht, sepse do të shkoj t’i kërkoj dhe ndriçoj ata të cilët jetojnë në errësirë’. Nëna Terezë edhe parajsën nuk e kupton si një shijim personal, por dëshiron gjithmonë të mendojë dhe të veprojë, të ndërmjetësojë te Zoti për ata që vuajnë. Edhe motrave iu thoshte ‘tashmë jam e mplakur dhe nuk më shërbejnë më këmbët, duart etj., andaj më lejoni që të lirohem prej këtij trupi të ligshtë sepse kur të jem të Zoti do të ju ndihmoj edhe më tepër, do të ndërmjetësoj dhe do të jem në mesin tuaj’.

Nganjëherë është krahasuar me yjet e ndryshme të estradës, të Hollywood-it, edhe pse ka qenë në fokusin e mediave por në disa raste këto yje kanë provuar të merren me bamirësi. Cili është dallimi mes Nënës Terezë dhe yjeve të ndryshme?
Don Lush Gjergji: Nëna Terezë ka shqetësuar pozitivisht dhe kreativisht njerëzit. Për shembull ta marrim të ndjerën Princeshën Diana. Diana kishte vështirësi dhe probleme familjare. Pas takimit që ka pasur me Nënën Terezë, ajo e zbulon një botë, që është bota e të varfërve dhe të mjerëve dhe kënaqësia e saj pothuaj e vetme ishte në bamirësi. Kështu edhe shumë personalitete të tjera edhe vet Presidenti amerikan Reagan thotë ‘para Nënës Terezë e kam ndier vetveten si një buburrec, sepse çka bën ajo unë nuk jam në gjendje as ta mendoj. Megjithatë e kam ndier vetveten se edhe unë jam i gatshëm të veproj dhe të bëj diçka në stilin e saj.’ Prandaj, Nëna Terezë si të mëdhenjtë si të vegjlit i ka stimuluar për mirë sepse asaj nuk i ka interesuar jeta personale apo jeta familjare e dikujt. Ajo nuk është përzier në këtë çështje. Ajo është munduar që njeriun ta frymëzojë që të bëjë mirë.
Thënia e saj e mrekullueshme është ‘vepra të vogla me dashuri të madhe’. Para Nënës Terezë asnjë personalitet i çfarëdo niveli botëror që ka qenë i artit, i politikës, i shkencës, i kulturës apo i fesë s’ka mundur të mbesë indiferent.
Nëna Terezë ka qenë dhe mendoj dhe uroj që të jetë edhe për shumë kohë një frymëzim i mrekullueshëm për bamirësi, për flijim dhe për dhurim, sidomos ndaj atyre të cilët më së tepërmi kanë nevojë.

Te varri i Enver Hoxhës

Sa herë ka qenë Nëna Terezë në Kosovë?
Don Lush Gjergji: Pesë vizita i ka pasur. Herën e parë ka qenë në vitin 1970, pastaj në vitin ’78, ’80, ’86 dhe ’88. Çdo herë kur ka ardhur ka qenë në disa vende të cilat rregullisht i ka vizituar, Prizrenin si qytetin e prejardhjes, ku e ka pasur Don Nikollë Minin, i cili ka qenë kushëri i parë i saj. Pastaj Nëna Terezë e ka vizituar gjithmonë edhe Letnicën si shenjtërore ku ajo ka vendosur përfundimisht të shkojë në misione me 14 gusht të vitit 1928, natën e Zojës së madhe apo Të ngriturit e Zojës në qiell dhe ka vizituar Shkupin. Në vitin ’80 kemi bërë një vizitë, ta quaj gjysmëzyrtare, ku ishim në Shkup e pastaj prej Shkupit e patëm një takim në Binçë me priftërinj dhe me motra, atëherë erdhi një delegacion prej Vitisë, kryetari i atëhershëm i Vitisë dhe erdhi edhe ministri apo sekretari i shëndetësisë që ishte në atë kohë dhe kërkuan nëse është e mundshme t’i bëjmë një vizitë edhe Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës atëherë, kryetar i këtij këshilli ishte Bahri Oruçi kurse nënkryetar ishte Pajazit Nushi. Kjo ka qenë vizitë gjysmëzyrtare ta quajmë, disa vizita tjera kanë kaluar fatkeqësisht në heshtje sepse ishte koha e komunizmit dhe ateizmit dhe Nëna Terezë ishte e njohur dhe e nderuar në botë por jo aq edhe tek ne. Nëna Terezë qe pranuar nëpër famulli të ndryshme, ishte në Prishtinë, në Janjevë, në Zllakuqan, në Pejë dhe besimtarët tanë kudo janë grumbulluar për të shprehur gjithë simpatinë, nderimin, falënderimin dhe dashurinë që kanë pasur për të.

Ajo gjithashtu ka pasur vizita edhe në Shqipëri. Një vizitë e saj, e cila nga disa është kritikuar, ka qenë vizita që i ka bërë varrit të Enver Hoxhës.
Don Lush Gjergji: Nëna Terezë ka vuajtur shumë sepse për së gjalli nuk pati mundësi ta shohë nënën Drane dhe motrën Age sepse sistemi, Enver Hoxha, diktatura nuk lejonte edhe pse në atë kohë edhe sekretari i Kombeve të Bashkuara, edhe presidenti amerikan Kenedi, edhe presidenti i Francës De Gol edhe Papa dhe gjithë të tjerët u munduan që të ndërmjetësojnë sepse nëna loke i thoshte ‘s’po më del shpirti pa të pa’. Ishte një dhimbje shumë e madhe por Enver Hoxha nuk lejoi. Nëna Terezë, në momentin që iu dha rasti, në vitin 1989, me 14 gusht ajo shkoi në Shqipëri dhe e vizitoi atje në rend të parë varrin e Enver Hoxhës, u lut dhe vendosi lule dhe pasi bëri nderimin dhe u mundua ta këshillojë dhe ta ngushëllojë Nexhmijen, e cila ishte dukshëm e pikëlluar se e dinte prapavijën e gjithë asaj vuajtjeje që e kishte Nëna Terezë dhe i tha ‘edhe burri juaj është munduar që të bëjë diçka mirë’ dhe na e dha një mësim, i cili duhet të jetë në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari. Dashuria edhe për kundërshtarë edhe për armiq dhe falja, e cila është parakusht i lirisë, sepse kush nuk kërkon falje dhe kush nuk fal nuk është i lirë por është i robëruar nga e keqja dhe nga urrejtja. Pasi e kreu këtë vizitë atëherë tha ‘e ku është varri i nënës loke dhe i motrës Age?’. Prandaj, mirë që më pyete një gjë të tillë, që t’iu them shqiptarëve se Nëna Terezë kurrë s’ka urryer askënd dhe ka ditur vuajtjen ta sublimojë, ta fisnikërojë, ta bujarojë dhe t’ia paraqesë Zotit për të mirat e popullit të saj, të kishës së saj dhe të botës mbarë dhe ky shembull për mua është ndër shembujt më të mirë dhe Nëna Terezë është madhështore kur gjendet e gjunjëzuar para varrit të diktatorit, i cili aq shumë i ka shkaktuar vuajtje dhe dhembje aq sa nuk e ka parë as për së gjalli dhe nuk ka qenë në varrimin e nënës Drane dhe motrës Age.

Poetja e dashurisë

Nënë Tereza është marrë edhe me letërsi. Si e vlerësoni këtë aspekt të jetës së saj?
Don Lush Gjergji: Ajo jetonte me dashuri dhe për dashuri. Kishte prirje qysh si vajzë e re. Ajo ka shkruar poezi dhe iu ka lexuar edhe moshatarëve. Poezia e saj e shkruar me 9 dhjetor të vitit 1928 “Lamtumirë” është një kryevepër. Pastaj edhe në uratë, në poezi dhe në letrat e saj damari poetik, damari i saj kreativ hetohet gjithkund. Edhe në fjalimet e saj kishte shprehje aq të bukura figurative. Kritika letrare ka rizbuluar në Nënën Terezë një poete vërtet kulmore sepse ajo është poetja e dashurisë, ka jetuar me dashuri dhe për dashuri dhe si e tillë ka pasur mundësi të krijojë vepra që janë të pavdekshme.

Më herët i përmendet letrat e saj që i posedoni. A ekzistojnë edhe shkrime të tjera, qoftë poezi qoftë letra apo shkrime të ndryshme të pabotuara?
Don Lush Gjergji: Unë sa kam pasur mundësinë të zbuloj kam zbuluar, ato nuk janë poezi por janë korrespondencë kryesisht familjare dhe në këtë korrespondencë, mbi të gjitha, është një vijë apo një konstantë, malli i saj për popullin tonë, dhembja dhe vuajtja që kishte për mungesën e nënës Drane dhe motrës Age, dashuria dhe kujdesi që e kishte për vëllanë Lazrin, për bashkëshorten e tij Marinë, për mbesën Agën, e cila fatbardhësisht është ende gjallë dhe është mirë, me të cilën dëgjohem rregullisht, por këto janë letra që i kanë këto dimensione dhe paraqesin shpirtin e madh të Nënës Terezë por nuk janë krijimtari. Unë ato që i kam gjetur i kam botuar në vëllimin “Poezi dhe uratë” të cilat tashmë janë në gjuhë të ndryshme të botës.

Katedralja që do të mbajë emrin e Nënë Terezës është duke u ndërtuar. Kur do të jetë gati?
Don Lush Gjergji: Pjesën apo strukturën bazë shpresojmë ta kemi me 5 shtator të vitit 2010 dhe kjo do të jetë ngjarja kulmore e 100 vjetorit të lindjes së saj.

Është bërë një kërkesë e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha për kthimin e eshtrave të saj në vendlindje. A ekziston mundësia që eshtrat e saj të kthehen dhe të jenë në katedrale?
Don Lush Gjergji: Praktika kishtare 2000 vjeçare është që eshtrat e shenjtit apo shenjtëreshës, që në terminologjinë teknike kishtare quhen relikte, që do të thotë diçka çka ka mbetur prej personit, e mbesin eshtrat kryesisht, apo diçka prej objekteve, por kryesisht prej vet subjektit, ne atë kemi të drejtë ta kërkojmë dhe shpresoj dhe jam i sigurt se do ta kemi. Mënyra si ia bëri kërkesën kryeministri Berisha qeverisë së Indisë ishte simpatike por nga ana teknike është e pamundshme sepse India për asnjë gjë në botë nuk i jep eshtrat e Nënës Terezë. Ne do të shkojmë në rrugën tjetër që është rruga kishtare, rruga e Selisë së Shenjtë, rruga e motrave të Nënës Terezë, prandaj një pjesë të eshtrave të Nënës Terezë do t’i kemi me siguri në katedrale dhe shenjtëroren e cila do të jetë e kushtuar Nënës Terezë pikërisht këtu në Prishtinë.

Për fund, si do ta përshkruanit, me pak fjalë, Nënën Terezë?
Don Lush Gjergji: Unë jam munduar ta definoj, dashuria në vepër apo dashuria në veprim, prandaj ishte dëshmitarja e asaj çka është tradita, kultura shumëshekullore krishtero-shqiptare dhe ishte kulmore në flijim dhe në dhurim. Ajo kurrë nuk ka pushuar për të dashur Zotin në njeriun dhe njeriun në Zotin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›