E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i Mehmetit

Në muajin gusht të vitit 2009, një terr i zi ra mbi trojet ku banojnë shqiptarët. Më i keq dhe më emocional se gripi AH1N1! Na preku aq shumë së që tok së bashku derdhëm lot dhe vajtuam. Vdiq e dashura, e paharruara, e bukura, hipnotizuesja, ZEMRA e KOSOVËS së pavarur dhe demokratike - Nermini, e shoqja e Mehmet Kosovalisë.
Për disa muaj, Mehmeti u bë simbol i kulturës së pasur të Kosovës që po e festonte njëvjetorin.
Numëroni një person, një organizim, një ndodhi që tërhoqi më shumë njerëz se ti?
Nuk ka sepse ti je njësh! Mos ke dert Mehmet, ti gjithmonë ishe dhe do të jesh në zemrat tona të vogla dhe të plasta. E pamja për Nerminin thuhej se do të bëhej në njërin prej televizioneve nacionale në Kosovë. Nuk u bë derisa lulet virtuale për të ngushëlluar TY Mehmet shkuan vetëm përmes internetit dhe llafeve të grave nëpër mindera dhe shilte.
Të gjithë kishin ndjenja të përziera. Vdiq Nermini! Ajo të cilën nuk pate mundësi ta puthje kurrë TI Mehmet. Muaj më vonë ende po flitej për ty. Pëshpërimat për ty dëgjoheshin si cicërima e zogjve.
Burra, të cilëve netëve të vona u mungonte ndjenja që të jenë pranë këmbëve të grave të tyre duke u fërkuar dhe duke i shikuar çudat e tua e të Nerminit. Filizit ia kishin inat! Mehmet, nuk e di ti fare, por burrat fshehtazi iknin nga shtëpitë e tyre për ta gjetur një karrige të zbrazët në çajtore apo bastore. Sytë katërmbëdhjetë për ty, vetëm për ty! Kush ishte Ismail Kadare që fitoi çmimin e Asturias për letërsi, kush ishte Ben Blushi dhe romani i tij “Të jetosh në ishull” për popullin e Kosovës, asgjë! Ti je ai përfaqësuesi më i denjë i ministrit kosovar, zyrtares së komunës, deputetes së Parlamentit apo edhe atij që punon në minimarket dhe i hipnotizuar mezi i shërben myshteriut. Ti je i modh, o Mehmet Pasha. Ti je kultura jonë, ti je lidhja qindravjeçare që nuk po kemi mundësi ta shkëputim. Në muajin dhjetor si një meteor që bie në shtresën e tokës, ashtu ra edhe lajmi që i dashuri Mehmet po vjen në Kosovë! Në aeroport, i madh e i vogël dolën për ta pritur! Femra, të cilat po e shikonin idhullin e tyre aq afër sa edhe larg.
Imagjinata po vlonte : “O Zot sa i mirë, pse nuk kesh Nermini unë”. Aty u pa që dashuria dhe lidhja që kishe krijuar Mehmeti i bëri edhe meshkujt të vuajnë. Të incizuan me telefona celularë derisa u largove, kurse shumë të tjerë fotografinë tënde e mbajnë në kuletë. E bën haptazi duke treguar që kanë ndjenja të përziera! Nuk janë vetëm meshkuj, por edhe pak gay. Më në fund po tregohen ndjenjat e vërteta që vetëm ti Mehmet i bëre të mundshme t’i shohim. Dy vite më parë në Kosovë arriti një aktore më pak e njohur se ti Mehmet. Ajo ishte aktorja palidhje e industrisë palidhje të filmit Hollywood, Nicole Kidman. Uf... sa mirë ia bën, nuk e priti askush përveç gazetarëve. Sa mirë më vinte kur nga Hoteli Grand e deri te Hotel Ambasador në qytezën Pejton askush nuk ia rrasi Kidmanit. Yf... m’u rrit zemra, ndërsa orgazmën përjetova, kur erdhe në Kino ABC në Prishtinë. Mehmet, thënia e Klan Kosovës “Jemi Një” mund të pësojë ndryshim “Mehmet, je njësh”. Çka janë disa Oskarë të Kidman kur Mehmeti për qindra episode ka qëndruar në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Drenovc, Llap e Llaushë dhe në qindra vende të tjera. Viti 2009 propozoj të quhet viti i Mehmetit. E meritove...brravo!

PS : Harrova aktoren e vjetër Vannesa Redgrave. Çka kërkoi ajo në mesin tonë dhe të na e prishë rehatinë duke u lëvduar kinse ka marrë shumë çmime në botë?!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›