E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna me kancer tenton të vrasë vajzën Dawn, më pas dhe veten

TIRANE - Një 45-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, ka ndërmarrë aktin ekstrem duke helmuar vajzën e saj 18-vjeçare, e cila vuante nga sindroma Dawn, e më pas ka tentuar t’i japë fund edhe jetës së saj. Dyshohet se nëna të ketë vepruar në gjendje mjaft të rënduar psikologjike, pasi ka mësuar se vuante nga sëmundja e kancerit.

Fatmirësisht në tragjizmin e kësaj ngjarjeje, nënë e bijë ia kanë dalë të mbijtojnë pas marrjes së ndihmës mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por megjithatë mjekët nuk japin informacione të sakta nëse ato ndodhen jashtë çdo rreziku për jetën.

Ngjarja është shënuar të enjten në Kamzë, ku 45-vjeçarja me inicialet A.P ka dashur të vrasë vajzën e saj 18-vjeçare F.P, duke e helmuar me fotoksinë, e më tej me të njëjtin helm ka tentuar të marrë edhe jetën e saj.

Në kushte depresioni, pas mësimit të lajmit se vuante nga kanceri, nëna e tre fëmijëve, ndoshta duke menduar për të ardhmen e vajzës së saj kur vetë ajo nuk do të ishte më në jetë, ka zgjedhur ta helmojë atë e më pas t'i japë fund dhe jetës së saj. Sipas policisë, nëna ka dashur t’i japë fund dhimbjes të së bijës pasi jeton e paralizuar për shkak të sindromës së sëmundjes së pashërueshme.

Aktualisht, nënë e bijë ndodhen në repartin e Toksikologjisë, ndërsa sipas bluzave të bardha, 18-vjeçarja paraqitet në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, pritet që nëna 45-vjeçare të merret në pyetje nga policia për të dhënë versionin e saj të ngjarjes dhe arsyet e veprimit të rëndë ndaj vajzës së saj dhe vetes.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›