E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënat dhe bijtë

 

-Cila është kurba e lidhjes nënë-bij?
Dashuria pa kushte është pjesë e kurbës së lidhjes nënë- bij, është zanafilla e një historie dashurie e cila fillon me privilegjin e aftësisë krijuese që i është dhënë nënës.
-Ç’e bën aq të fortë lidhjen në fillimet e krijimit të kësaj dysheje?
Emocioni më i madh që përjeton një grua është të sjellë në jetë një fëmijë. Përpara se të ndodhë kjo, ajo e mban atë nëntë muaj në trupin e saj. Aty krijohen lidhje jo vetëm fizike por edhe psikologjike të cilat shpërblehen me lindjen e fëmijës. Këtu fëmija merr elementët e parë të sigurisë dhe dashurisë pa të cilat nuk mund të njohë as veten dhe as botën.
-Adoleshenca duket sikur mund të skicohet nga dy vekorë me drejtime të kundërta: fëmijët duan ti ikin afrimitetit me nënën kurse nënat përpiqen të jenë sa më të pranishme, për shkak të frikës nga kjo fazë e vështirë e rritjes. Çfarë këshillon psikologu për të pasur rezultanten e dëshiruar?
Tashmë prindërit i kanë kaluar fazat e tyre të zhvillimit. Ata ndodhen në pozicionin e përkujdesjes së krijesës së tyre. E kanë shumë të vështirë të shkëputen prej saj. Kjo bën që të plotësohen jo vetëm nevojat e fëmijëve por edhe ego e prindit, “shpërblimi i shumëpritur”. Prindërit ndonjëherë harrojnë të kuptojnë nevojën që ka fëmija për përkujdesje, por njëkohësisht edhe për pavarësi. Përgjithësisht prindërit shqiptarë e ruajnë me fanatizëm varësinë që fëmijët duhet të kenë ndaj tyre. Jetojnë për fëmijët dhe jo me fëmijët. Këtu duhet të kenë kujdes, pasi fëmija ka nevojë të provojë, të gabojë, të fitojë, të rrëzohet, të ngrihet, të qajë, të qeshë dhe nga të gjitha këto meson më shumë se ç’kujtojmë ne. përkujdesja e tepruar e prindit ndërpret që herët inicitivat e fëmijët dhe këta të fundit humbasin besimin në vetvete. Një prind duhet të jetë autoritar me fëmijën e vet, të gjejë masat e ekuilibrit. Si p.sh: “Mund të shkosh në datëlindje me shoqen tënde, por në orën 10.00 duhet të jetë në shtëpi” . Në këtë rast përgjegjësia ndahet me fëmijën. Prindi lejon, i beson fëmijës që të dalë, por fëmija duhet të jetë i përgjegjshëm të kthehet në orarin e paracaktuar.
-Ç’ndodh te nëna në fazën e pavarësisë së plotë të fëmijës? Sa lehtësisht apo vështirësisht e kapërcen ajo këtë fazë?
Të gjitha nënat, (sidomos ato shqiptare) e kanë shumë të vështirë pavarësinë e plotë të fëmijës. Nga ana tjetër edhe një pavarësi e plotë nuk ekziston sepse në një relatë dashurie si ajo e nënës me fëmijën do ketë gjithmonë ndërvarësi. Por çfarë duhet kuptuar është që nënat duhet të përgatisin që herët veten e tyre për këtë nevojë të fëmijës për zhvillim dhe pjekuri. Nënat mbi të gjitha duhet të pajisen me informacionin e duhur për të rehabilituar si veten e tyre ashtu edhe marrëdhënien me fëmijën. Kështu tranzicioni do të jetë më i qetë dhe vetëm në këtë rast do të jetë i suksesshëm.
-Si e gjykoni rastin e nënave që nuk e pranojnë rritjen e fëmijës, shndërrimin e tyre në qenie të pavarura (ndryshe e thënë rastin e nënave për të cilat bijtë mbeten fëmijë pavarësisht moshës dhe pjekurisë)?
Shumë nëna mendojnë se fëmijët janë të paaftë për t’u kujdesur për veten e tyre dhe për nënat është shumë e vështirë të kuptojnë se nga mosha në moshë, zhvillimi bën që fëmija të ndryshojë në kërkesa, nevoja, të menduarit, perceptuarit etj.
Nga eksperienca ime përsonale si psikologe, kam vënë re se ky fenoment ndodh shumë me nënat që kanë marrëdhënie jo shumë të mirë me bashkëshortin, me familjen e tyre bazë kur kanë qenë ata vetë fëmijë ose sidomos me nënat e divorcuara. Shpesh këto nëna e kanë shumë të vështirë të pranojnë rritjen e fëmijës së tyre dhe si rrjedhojë pavarësinë e fëmijës. Ata e interpretojnë atë si braktisje. Por kjo sigurisht që nuk është aspak e vërtetë.
Në rastin e nënave të divorcuara, ato shpesh zëvendësojnë mungesën e bashkëshortit të tyre me fëmijët, sidomos kur këta të fundit janë meshkuj. Dhe fëmija në këto raste ndjen përgjegjësinë e zëvendësimit të kësaj figure dhe kështu krijohet patologjia në këtë marrëdhënie.
Kur fëmijët rriten dhe largohen nga shtëpia, prindërit përjetojnë atë që psikologët e njohin si “sindroma e folesë bosh”. Ata ndjehen shumë vetëm. Kjo është një nga arsyet që nënat duan t’i mbajnë medoemos fëmijët pranë vetes duke mos i lejuar ata të lëvrojnë në pavarësinë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›