E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nënkryetari i PS", Braçe: Nëse më propozojnë, nuk do t’i them jo asnjë detyre

TIRANE – Deputeti socialist Erion Braçe komentoi në “News24” zhvillimet politike në vend në prag të konstituimit të qeverisë dhe Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. 
I ftuar në rubrikën “Opinion” me gazetaren Ola Bruko, Braçe zbardhi detaje rreth asaj që u diskutua sot në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, duke theksuar se nuk pati debate për asnjë nga çështjet e ngritura. Deputeti Braçe tha se është i gatshëm të pranojë postin e nënkryetarit të grupit nëse do t’i propozohet një detyrë e tillë.
Ndër të tjera deputeti socialist deklaroi se gara për kreun e ri të PS-së do të jetë e hapur dhe do të zhvillohet me parimin një anëtar një votë, por sipas tij, është e tepërt të sfidosh fituesin, duke lënë të kuptohet se Edi Rama mund të jetë kandidati i vetëm në garë.

Zoti Braçe a do të jeni ju nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së?
Nuk kam ardhur të flas për veten, nuk preferoj të flas për veten as brenda PS-së. Unë jam në PS për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave që adresohen kundrejt meje. Gjëra që i quaj të gjitha detyra, jo poste. Kur të bëhet propozimi natyrisht që nuk do t’i them jo asnjë detyre.
Sa i përket zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, u diskutua kjo gjë në Kryesi?
Nuk u diskutua asgjë sot. Dua ta sqaroj njëherë e mire. Mbledhja e Kryesisë ka qenë shumë e shkurtër. Çështja e parë që u shtrua ishte propozimi i njërit prej anëtarëve të Kryesisë për të drejtuar grupin. Gjeti miratimin e të gjithë anëtarëve të Kryesisë. Nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj debati. Praktika e PS-së kjo ka qenë gjithë kohës, zgjedhjeve në parti i paraprin një dokument që vendos kritere orare, sepse do të bëhet me parimin një anëtar, një votë, të tjerët erdhën pas nesh. Mirë do të jetë për ne që të rigjenerojmë strukturën e partisë, por ta hapim atë dhe për ata mijëra njerëz që na u bashkuan në fushatë. Do të jetë shumë pozitive për ne që atë masë të madhe të rinjsh që na u bashkëngjitën në fushatën elektorale t’i bëjmë pjesë të anëtarësisë së PS-së. Çështja e fundit që u diskutua ishte mbledhja e Kuvendit të Shqipërisë. Duhet të jemi të gatshëm për të përgatitur gjithë debatin për programin e qeverisë.
Eshtë ende herët për të folur se kur do të ndodhë votimi për kryetarin e PS-së apo kandidatet në këtë garë?
Të bësh votime dhe të thërrasësh gjithë anëtarësinë nuk është gjë e lehtë. Duhet të koordinojmë këtë zgjedhje edhe me rifreskimin e kryetarëve të organizatave. Eshtë një proces i lirë, ku gjithkush mund të regjistrohet, por unë besoj që brenda partisë tonë ka njerëz që vlerësojnë fituesin dhe besoj se do të jetë e tepërt për të sfiduar fituesin.
Mos e paragjykuat fjalimin e zotit Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë?
Për të gjitha ato arritje që renditi pati një test, testi ishte 23 qershori. Pavarësisht se mund të thotë zotëria sot e gjithë ditën, unë nuk mund ta pranoj qe ky njeri të fyejë, ofendojë dhe të ketë mllef për shqiptarët. Shqiptarët e dinë shumë mirë se çfarë është një standard jetese, ekonomia, rezultatet në ekonomi e kështu me radhë. Nuk ka mbetur ky zotëria të tregoje se ata nuk vlerësuan arritjet. Pjesa tjetër ishte një mllef shume i madh ndaj kundërshtarëve që e munden. Ky njeri nuk është mire, qofte nga artikulimet që bën dhe në plan njerëzor. Nuk e ka përballuar dot humbjen. Ai ka akuzuar PS, pa hyrë akoma në zyrat e shtetit që i mban ai akoma. Na ka akuzuar ne se nuk kemi mbajtur premtimet, ne nuk kemi hyrë akoma, s’kemi filluar. Ne do të paraqesim programin 100 ditor, 300 ditor dhe 4-vjeçare dhe pastaj mbi bazë të këtij programi mund të gjykojë. Për çfarë dosje korrupsioni flet ky, ata janë njerëz që nuk kane punuar asnjëherë në zyrat e shtetit. Dhe e ndjek pas edhe ky zotëria tjetër që thotë unë e dekretoj kryeministrin, por për ministrat do pyes. Cështë ky president qe shkel Kushtetutën, për çfare do hetojë ky. Asnjëri prej ministrave nuk ka jo vendim gjykate, por as akuzë për ata njerëz, pavarësisht se akuza nuk quhet fajësi prap. Për cilin nga ministrat e Sali Berishës e ka bërë ky Presidenti i Republikës. Një kryeministër le popullin e tij të flasë, por kur populli e pushoi nga puna, natyrisht doli të bëjë fjalimin e fundit vetes. Për më tepër në një tavolinë që më tepër i ngjan qivurit se sa një tavoline qeverie.
Ju sot në “Facebook” keni evidentuar dy pika, keni vlerësuar dy pika nga fjalimi i zotit Rama...
Një nga pikat për të cilat na votuan është ndarja e shtetit nga partia. Shteti është i qytetarëve dhe jo i partisë, po nga ana tjetër shteti nuk do të vazhdojë të jetë i partisë në pushtet. Do ti japim fund nepotizmit dhe klientelizmit në administratën publike. E shprehur kështu nga kryeministri nuk ka se si mos ketë mbështetjen time. Zoti Rama përcaktoi qartë edhe limitet tona. Shqiptarët presin drejtësi për çdo akt të paligjshëm dhe të padrejtë që ka rrënuar këtë vend. Duhet të kemi në fokus çfarë duhet të bëjmë që të jemi komplet ndryshe nga këta.
Në lidhje me mospasjen e një ceremonie për ndërrimin e pushtetit, çfarë mund të thoni për këtë?
Si mundet kryeministri në ikje të programojë ceremoni për ikjen e tij. Ai që të mos ikte prej andej vrau katër qytetarë në mes të bulevardit. Si mund të presësh një gjë që mund të jetë normale për cilëdo nga vendet e Europës, ta presësh nga një njeri që vret për të mbajtur pushtetin. As e pres fare këtë. Natyrisht pres largimin e tij sa më parë nga zyra e kryeministri të vendit.
Si e parashikoni opozitën e të djathtëve?
As në PD nuk e beson njeri që Basha është kryetar. Si qytetar duke parë edhe moshën edhe konsumimin mbase mund ti rekomandoja Sali Berishës të shikonte shëndetin. Të shkonte në shtëpi të gëzonte pensionin me familjen e tij. Po të dojë le të rrijë në politikë por nuk do ta lejojmë që ta përdorë politikën për tu mbrojtur nga drejtësia. Nuk do të lejojmë që politika të përdoret si ombrellë për vendimet që do të marrë drejtësia. Si për të edhe për secilin tjetër prej nesh, qofshin socialistë apo demokrate. Qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe natyrisht të pambrojtur nga politika. Politika nuk duhet të jetë strehë e horrave.
Ka skeptike për bashkëjetesën e PS-së me LSI-në në të ardhmen. Shumë shpejt ka thënë “The Economist”, Rama dhe Meta do të nxjerrin thikat...
Jemi të gjithë bashkë dhe kemi një qëllim të përbashkët, të mbajmë premtimet dhe tu përgjigjemi qytetarëve. Me LSI-në jemi bashkuar mbi bazë të një programi, jemi bashkuar me një strategji të re. Çdo gjë në marrëdhënie midis nesh do të vlerësohet mbi bazë të dokumenteve themelore që janë hartuar. Janë dokumentet dhe do ti shkojmë deri në fund mandatit në bazë të këtyre dokumenteve dhe parimeve. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›