E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenerali italian Farina prej sot komandant i KFOR-it

PRISHTINE - Gjeneralmajori Italian, Salvatore Farina, prej sot, bëhet komandant i Forcës së NATO-s në Kosovë, pasi atij i dorëzon përgjegjësinë komandanti i deritashëm, gjeneralmajori gjerman, Volker Halbauer, në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë.

Sipas medias, Farina, i lindur në vitin 1957, karrierën e tij e ka filluar në vitin 1980, pas përfundimit të akademisë ushtarake.
Në periudhën 1996 – 1999 ai ishte i ngarkuar për planifikim dhe udhëzim të ushtarëve italianë, të cilët kishin dhënë kontribut në operacione të ndryshme paqësore në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Shqipëri, Timorin Lindor dhe në Kogno.

Gjatë operacioneve në Ballkan ai ishte planifikuesi kryesor për vendosjen e njësive të specializuara shumëkombëshe.

Kontigjenti italian i KFOR-it është i dyti për nga madhësia në Kosovë, pas Gjermanisë, e cila ka më së shumti trupa në kuadër të këtij misioni të NATO-s në Kosovë. Vlerësohet se në kuadër të KFOR-it aktualisht gjenden afro 5 mijë ushtarë. Gjenerali gjerman, Volker Halbauer, në një konferencë lamtumire për gazetarë në Prishtinë, tha se numri i pjesëtarëve të KFOR-it, tash për tash, nuk do të ndryshojë.

Gjeneralmajor Halbauer para një viti mori komandën e KFOR-it për të katërtën herë radhazi një gjeneral i Bundesverit, duke zëvendësuar gjeneralmajorin Erhard Drews.

Në 4 shtator, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim lamtumire komandantin e deritashëm të KFOR-it, të shoqëruar nga pasardhësi i tij. 

Presidentja Jahjaga e përgëzoi gjeneralin Halbauer për punën e palodhshme të ushtarëve të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo e falenderoi komandantin e KFOR-it për rolin që ka luajtur kjo forcë në arritjen e kapaciteteve të plota të FSK-së dhe për proceset drejt integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga i uroi komandantit të ri të KFOR-it, Salvatore Farina, mirëseardhjen dhe i shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për vazhdim të bashkëpunimit me KFOR-it në dobi të paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Komandanti i i KFOR-it në largim, gjenerali gjerman Volker Halbauer, falënderoi Presidenten Jahjaga për bashkëpunimin dhe ritheksoi vendosmërinë e NATO-s për të vazhduar misionin paqeruajtës në Kosovë në përputhje me mandatin që ka, ofrimin e ambientit të sigurt dhe stabilitetit të përgjithshëm.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›