Nënkryetari i Parlamentit mohon akuzat e përdhunimit

Zëvendëskryetari i Dhomës Përfaqësuese në Britaninë e Madhe i ka mohuar akuzat për përdhunim dhe sulm seksual, që çuan në arrestimin e tij gjatë ditës së shtunë. Akuzat kundër ministrit që ka pranuar homoseksualitetin e tij që në vitin 2010, u bënë nga dy të rinj rreth të njëzetave, për të cilët deputeti i konservatorëve ka deklaruar se “i konsideroja miq”.
Nigel Evans, 55 vjeç, tha se akuzat që datojnë nga qershori 2009 deri në prill 2013, ishin “tërësisht false”. Ai u lirua në pritje të hetimeve dhe nga shtëpia e tij ka deklaruar për mediat se “Dje u mora në pyetje nga policia në lidhje me dy ankesa kundër meje, që datojnë katër vite më parë dhe përfshijnë dy njerëz që i njoh shumë mirë dhe që deri dje i konsideroja si miq.
Akuzat janë plotësisht false. Nuk e kuptoj arsyen pse e bënë, veçanërisht për faktin se dolën si miq edhe javën e kaluar”, tha ai. Deklarata e tij u bë pasi sekretari britanik i Mbrojtjes, Filip Hemond, pranoi se do të jetë shumë e vështirë për Evans të vazhdojë detyrën si nënkryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit, ndërkohë që hetohet kjo çështje.
Evan, i cili ka lindur në Svansea dhe ka punuar në supermarketin e familjes së tij përpara se të hynte në politikë, ka qenë deputet konservator që në vitin 1992. Ai ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta politike dhe ka qenë Sekretari privat parlamentar i Uilliam Hague në vitin 1996, kur Hague ishte në kabinet sekretar Shteti për Uejls.
Në korrik 2010, Evans doli hapur si homoseksual në një artikull të qartë në “The Mail”, ku deklaronte se ishte i lodhur duke jetuar në një gënjeshtër dhe se kishte marrë kërcënime nga një deputet laburist, të cilin refuzoi ta deklarojë me emër, për të dhënë dorëheqjen. Ai mori iniciativën për krijimin e një grupi për të ndihmuar deputetët dhe stafin parlamentar të ishin të hapur për seksualitetin e tyre./Indekosnline/