E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet takimi i serbëve me Daçiqin e Vuçiqin

Takimi i kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, është anuluar. Takimi në fjalë ishte paraparë për nesër në Beograd.

Lajmin e ka konfirmuar për agjencitë serbe, Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut.

Ai ka thënë se Daçiq dhe Vuçiq nuk kanë pranuar që në delegacion të jenë edhe përfaqësuesit e serbëve në jug të Lumit Ibër.

Sipas tij, qëndrimi i përbashkët i përfaqësuesve të katër komunave me shumicë serbe në veri, është që për hir të ruajtjes së unitetit të serbëve, delegacioni të përfshijë edhe serbët e jugut.

Në takimin e së martës ishte paraparë që autoritetet qeveritare të Serbisë dhe serbët e Kosovës të afrojnë qëndrimet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Deri më tash kanë dështuar dy takime të tilla, ndërsa në të fundit Vuçiq dhe Daçiq nuk kanë pranuar serbët e jugut të Ibrit, të cilët kanë mbetur para Qeverisë në Beograd./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›