E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja mes Doganave dhe Policisë për lehtësimin e procedurave të eksportit

Kryeministri Edi Rama ndodhet në portin e Durrësit ku po zhvillon një takim me përfaqësues të bizneseve të transportit.

Në fund të takimit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si dhe ajo e Policisë së Shtetit nënshkruan sot një marrëveshje për lehtësimin e procedurave të eksportit, uljen e numrit të subjekteve që i nënshtrohen skanimit, përshpejtimin e kalimit të ngarkesave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike që bashkëveprojnë në port.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje sjell më pak burokraci, më shumë efikasitet dhe procedura që vendosin në qendër biznesin shqiptar dhe mbështesin eksportuesit.

Porti i Durrësit, është një nga infrastrukturat më të rëndësishme portuale, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin, pasi shërben si porta kryesore hyrëse për mallrat në Shqipëri dhe Kosovë, gjithashtu dhe për tranzitet për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë dhe anasjelltas.

Mbingarkesa e krijuar për shkak të rritjes së fluksit të mjeteve dhe të kontenierëve ka sjellë dhe rritje të numrit të skanimeve nga Skaneri, te cilat arrijnë dhe në 330-350 mjete në ditë, duke shkaktuar vonesa të zgjatura në këtë proces.

Qëllimi i takimit konsiston në dëgjimin e problematikave të tyre për të ndërhyrë aty ku ka vonesa nga fluksi i ngarkesave, si dhe për të shtyrë përpara eksportet shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›