E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nëntori i Dytë” – Orkestra Simfonike e RTSH-së së bashku me Korin dhe Orkestrën Simfonike të TKOB sjellin tingujt e filmave shqiptarë

Në 27 nëntor Festat Kombëtare Shqiptare do të vijnë më të bukura se kurrë me muzikën e kolonave zanore te disa prej veprave më të mëdha të kinematografisë sonë.

Orkestra Simfonike e RTSH-së në bashkëpunim me Korin dhe Orkestrën e TKOB, do të sjellin një mbrëmje artistike që i fton të gjithë artdashësit në një udhëtim të paharruar në historinë e filmit shqiptar.

Më 27 nëntor, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e Gridi Kraja, do të ngjallet magjia e kolonave zanore të filmave më të bukur shqiptarë.

Në këtë natë të veçantë, tingujt do të ngrenë në këmbë kujtimet e brezave përmes krijimtarisë së kompozitorëve të paharruar, të cilët me muzikën e tyre i dhanë shpirt filmave shqiptarë.

“Muzika shqiptare ka një impakt shumë të madh dhe mendoj që ky koncert ka kolonat zanore më të bukura të filmave shqiptar dhe do të këtë një impakt edhe më të madh për arsye se do ti kthejë në kujtesë kinematografinë të atyre viteve”, u shpreh një muzikante.

Kjo mbrëmje festive nuk është thjesht një koncert, është një homazh për muzikën e filmit shqiptar, për mjeshtrit që i dhanë identitet tingullit tonë kombëtar dhe për historitë që rritën breza të tërë.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›