Neritan Ceka: Nano u lidh me bandat

Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, akuzon ish-kryetarin e qeverisë së tij, Fatos Nanon, se ka qenë i lidhur me bandat që u krijuan në vitin 1998, e pikërisht për këtë arsye e largoi nga posti i ministrit të Rendit. Në bisedë me “Korrierin”, ish-ministri i Brendshëm, Ceka, i cili u përball me institucionet policorë të shkatërruar pas ngjarjeve të vitit 1997, shton se anëtarët e atyre bandave ende nuk janë vënë nën pranga dhe vazhdojnë të jenë miq jo vetëm të Nanos, por edhe të qeverisjes aktuale. Ish-ministri i Rendit, i pari që mori këtë detyrë pas vitit 1997-të, thotë se largimi i tij u “stis” nga ish-kryetari i PS-së, pasi vetë Ceka ndaloi kontrabandën dhe “goditi” një pjesë të njerëzve të tij. “Natyrisht që e shkela në kallo kryeministrin e asaj kohe, i cili ishte i lidhur në një mënyrë apo në një tjetër me grupet e reja që po krijoheshin. Fakti që unë ndalova kontrabandën, godita një pjesë të kontrabandës së re, e cila bëhej nga njerëzit e afërt të kryeministrit, bëri që të organizonte largimin tim nga qeveria”, - shprehet Ceka. Aktualisht në kryet të Aleancës Demokratike, ish-ministri i Rendit jo vetëm insiston se thotë të vërtetën, por shton se situata ndryshoi pas largimit të tij nga posti i ministrit. “Kjo është një gjë që e dinë të gjithë. E di e gjithë policia e asaj kohe. Madje e dinë dhe se çfarë ndodhi pas largimit tim. Dinë sesi i degradua pushteti, si u degradua policia dhe si shkuam në 14 shtator pastaj”, - shtoi ai. Neritan Ceka, nënvizon se lidhjet e ish-kryeministrit Fatos Nano ishin vetëm me bandat e reja që filluan të krijoheshin, e jo ato që bënë “gjëmën” gjatë vitit ‘97-të, veprimtaria e së cilave përfundoi po falë uniformave blu, që atë kohë ishin nën drejtimin e tij. “Jo me ata që u eliminuan, por me ata që erdhën. D.m.th. me banditët me kollare dhe pa kallashë”, - deklaroi Ceka. Aleancisti e bën më alarmante situatën, kur thotë se këta persona, që sipas tij, kanë bashkëpunuar me ish-kryeministrin Fatos Nano vazhdojnë të jenë të lirë, madje të bashkëpunojnë edhe me drejtues të lartë të shtetit, edhe në ditët tona. “Ata janë akoma miqtë e zotit Nano edhe sot e kësaj kohe, dhe një pjesë e tyre janë miqtë e qeverisë, e çdo qeverie që vjen në Shqipëri. Besoj që jo direkt të zotit Berisha, por aty sillen rreth e qark pushtetit”, - nënvizon Neritan Ceka. Ish-ministri i Rendit sqaroi se pikërisht këto lidhje që, po sipas tij, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, e larguan nga detyra e ministrit. Sipas kreut të PAD-së, gjatë periudhës kur drejtonte Ministrinë e Rendit, ai jo vetëm eliminoi bandat e krijuara para dhe gjatë vitit 1997-të, por edhe ato të rejat që po krijoheshin. Pikërisht falë mospajtimit me këta të fundit, që sipas tij kishin mbështetjen e ish-kryeministrit Fatos Nano, u “gatit” largimi i tij nga detyra. saqellari@korrieri.com