E Diel, 1 Nëntor 2026

Neritan Ceka: “PS-ja në 4 vitet e ardhshme duhet të gjejë rrugën e një opozite evropiane”

TIRANE – Marrëveshja  paszgjedhore e bashkëqeverisjes midis PD-së dhe LSI-së, u konsiderua nga Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka, si e vetmja zgjidhje në favor të qeverisjes së ardhshme të vendit. Në një intervistë për ATSH- në Ceka pohoi se “natyrisht që të djathtët mund të qeverisin me të majtët! Së pari është detyrim kushtetues dhe janë dy parti që kanë qeverisur”. Sipas tij përvoja pozitive qeverisëse e treguar nga PD dhe posedimi i praktikës qeverisëse në LSI, janë garanci për një  bashkëqeverisje. “Ishte një detyrim politik për LSI-në që të merrte këtë hap, duke evituar kështu skenarët absurdë të qeverisë teknike apo të protestave komuniste të propozuara nga PS”,  tha Ceka duke vënë në dukje se “tashmë PS, e cila ka zgjedhur të qëndrojë edhe katër vite në opozitë, duhet të gjejë rrugën e një opozite evropiane”. Zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, vlerësoi Ceka ishin zgjedhjet më të mira që kemi pasur deri më sot, duke filluar që  në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, “qoftë për Regjistrin Themeltar të shtetasve, kartat identitetit, por edhe mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve ka qenë e qetë në krahasim me zgjedhjet e tjera, si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve”. Por sipas Cekës, defekt pati gjatë ditës së numërimit, pasi “u  vu re një numërim partiak dhe janë partiakët ato që i kanë prishur gjithnjë zgjedhjet në Shqipëri…, prandaj të gjitha defektet janë shkaktuar në procesin e numërimit”. Në lidhje me standardet që kërkonin evropianët, ai u shpreh se, “ata kanë qenë bashkautorë të këtij kodi në vitin 2005 dhe ranë dakord për të dhe mendoj se partnerët tanë ndërkombëtar nuk kanë se çfarë të kërkojnë më shumë për këto zgjedhje”. Lidhur me angazhimet e tij politike pas rezultateve zgjedhore, Ceka tregoi se “PAD do të shikojë mundësitë për zgjerimin e pjesëmarrjes në qeverisje, ku aktualisht është e përfaqësuar vetëm me një zëvendësministër dhe me një prefekt”. Por sistemi zgjedhor proporcional rajonal, i cili u aplikua në zgjedhjet e fundit parlamentare, vlerësohet nga Ceka si “një sistem kantonal i rrezikshëm, antikushtetues”, pasi sipas tij, “kantonizon Shqipërinë dhe faktorizon grupe etnike, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës që kërkon një Parlament politik dhe jo kantonal”. Ai deklaroi se në parim nuk ka qenë dakord me disa amendime në Kushtetutë të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në prill 2008, që lidhen me sistemin zgjedhor rajonal proporcional. “Mendoj që duhet ndryshuar jo vetën kodi zgjedhor, por i gjithë sistemi për mundësitë e Shqipërisë, sepse e kantonizon atë, kantonizon grupe të vogla etnike, të cilat edhe me 10 mijë vota mund të marrin një deputet, kurse parti që kanë 30-40 mijë vota nuk e marrin dot një mandat” argumentoi Ceka, duke shtuar se “tashmë ky kod është i fiksuar në  Kushtetutë e rrjedhimisht  është e vështirë që të arrihet një konsensus politik për ndryshimin  në Parlament”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›