Nervozohet Hoze Murinjo: “Jam trajner, jo Harri Poter”
Edhe pse kanë kaluar dy muaj, ende ka paqartësi për mënyrën se si Murinjo braktisi Interin, pasi arriti suksesin e trefishtë. Por është vetë “Special one” që shpjegon përse e mori vendimin për të lënë Interin. “Në qoftë se do të dëshiroja që të isha mbreti Midas, atëherë duhet të kisha qëndruar te Interi” - pohoi Murinjo në intervistën dhënë të përditshmes sportive spanjolle “As”. “Një skuadër që kishte fituar gjithçka në dy sezone, do të më siguronte një jetë të jetë. Unë preferova të zgjedh rrugën më të vështirë, të pranoja ofertën që më bëri Reali i Madridit”. Duke vazhduar më tej, “Special one” nënvizoi: “Nuk është problemi në qofte se skuadra në substance vazhdonte të fitonte me mua apo me ndonjë teknik tjetër. Gjëja kryesore është stabiliteti”. Murinjo pranoi rrugën më të vështirë siç pohon vete, por në drejtimin e Realit të Madridit, rruga nuk do të jetë horizontale. Reali i Madridit barazoi ndeshjen e parë të sezonit, 0-0 me Majorkën dhe menjëherë Barcelona shkëputet dy pikë pas fitores 3-0 me Racing Santander. Pengesat kanë filluar të shfaqen për Murinjon, që shoqërohen dhe me krizën e dëmtimeve. Murinjo nuk pëlqente jetën e qetë te Interi, që sipas tij do të krijohej pas suksesit të trefishtë. Por këtë jetë të qetë nuk po e prek apo shijon pasardhësi i tij, tekniku spanjoll Rafa Benitez. Dhe debutimi i tij në Serinë A me Interin, kishte skenarin e ngjashëm me atë të Murinjos të Real Madrid: 0:0 me Bolonjën. Pak ditë pas kritikave të ashpra në drejtim të skuadrës së Realit pas barazimit 0-0 në fushën e Mallorca-s, “Special One” i çudit të gjithë duke zgjedhur të flasë me atë që i pëlqen më shumë, ironinë. “Jam një trajner, nuk jam Harry Potter. Magjia në realitet nuk ekziston dhe unë jetoj në futboll që është real. Jam tek Reali prej disa muajsh dhe kemi kryer rreth 40 stërvitje. E dini sa kemi bërë me të gjithë grupin e plotë? As 10”, deklaron Mou. Në vijim ai shton se skuadra ka ende shumë rrugë për të bërë. “Për mua do ishte shumë e thjeshtë të mos ndryshoja asgjë. Mund të luanim si skuadra e sezonit të shkuar, duke ruajtur të njëjtat principe dhe të njëjtën strukturë. Do të ishte më e lehtë në fillim të sezonit por gjatë rrugës do të rezultonte e gabuar. Nuk është drejtimi që dua të marr”, vijon portugezi. Mourinjo komenton edhe dy blerjet e reja, talentet Khedira dhe Oezil. “Jeta e gjermanëve nuk është e thjeshtë. Nuk flasin asnjë fjalë spanjisht”, - përfundon trajneri i Realit të Madridit.
2 Shtator 2010