Në kërkim të opozitësNga Armand Shkullaku, ExpressRezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë konfirmuan edhe njëherë se vendi ka nevojë për një opozitë të vërtetë. Fitorja dërrmuese e Isa Mustafës në Prishtinë, rritja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Në kërkim të opozitësNga Armand Shkullaku, ExpressRezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë konfirmuan edhe njëherë se vendi ka nevojë për një opozitë të vërtetë. Fitorja dërrmuese e Isa Mustafës në Prishtinë, rritja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në nivel nacional dhe befasia e Blerim Kuçit në Suharekë, janë dëshmitë kryesore se skena politike në vend po tenton të konfigurohet.
Isa Mustafa mbetet padyshim fenomeni kryesor që prodhuan zgjedhjet e 15 nëntorit. Ai arriti t’i mposhtë rivalët e tij që në raundin e parë, gjë që pakkush do të kishte guxuar ta parashikonte. Profa arriti t’ia shpëtojë nderin dhe ndoshta ekzistencën LDK’së, pikërisht duke vepruar në të kundërt me vijën e vetë lidershipit të kësaj partie. Ndryshe nga drejtuesit e LDK’së që e lanë në mes fushatën kritike ndaj Qeverisë, Isa Mustafa e çoi atë deri në fund. Nëse udhëheqësit tradicionalë ngritën frenat e dorës në finish të fushatës, duke thënë se koalicioni dhe Qeveria nuk rrezikohen, Profa i mëshoi fort gazit duke bërtitur se kjo qeverisje nuk e ka jetën e gjatë. Suksesi i tij vërtetoi se një pjesë e mirë e elektoratit ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë fasadë, sa për të kaluar radhën. LDK nuk mundi ta luajë këtë rol, ajo përsëri nuk arriti të mbledhë atë pjesë të elektoratit që nuk është me PDK’në, apo që mund të jetë e pakënaqur nga qeverisja. Fitorja e Isa Mustafës ishte më shumë një fitore personale dhe pozicioni “as mish as peshk” i LDK’së e bëri më të bujshme atë. Frikësimi i disa drejtuesve të LDK’së se ashpërsimi i fushatës mund t’u rrezikonte postet në Qeveri, komentet se lidershipi i kësaj partie nuk mendon si Isa Mustafa dhe se ky nuk përfaqëson interesat e LDK’së, nuk bënë gjë tjetër veçse ia forcuan pozitën Kryetarit të Prishtinës. Kjo pozitë u forcua tek ajo pjesë e elektoratit të LDK’së që nuk e ka pranuar dhe nuk e pranon bashkëqeverisjen me PDK’në, por u forcua gjithashtu edhe tek ajo pjesë e qytetarëve që e gjykon të nevojshme që vendi të ketë një forcë politike që të luajë rolin e opozitës reale ndaj pushtetit. Fitorja e Isa Mustafës nuk ishte triumf i një projekti të menaxhimit lokal dhe as ngadhënjim mbi Astritin, Vegimin e Besnikun. Ajo ishte një fitore e pastër politike, fryt i një fushate gjithashtu politike, ku më shumë se për kryeqytetin u fol për qeverisjen. Mustafa preku deri në fund telat e ndryshkur brenda shpirtit të LDK’së, duke zgjuar shpresën se ato mund të tingëllojnë përsëri. Drejtuesit e tjerë të kësaj partie nuk ditën ta bëjnë këtë, ose e lanë në mes, duke e çuar partinë e tyre në një tjetër rënie të lirë në shumë komuna si Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Suharekë, etj. Përqindja totale në shkallë vendi do të kishte qenë edhe më e ulët nëse nuk do të ishin votat e shumta të Isa Mustafës. A do të ketë reflektim për këtë në LDK, kjo mbetet për t’u parë. Me siguri mund të thuhet se suksesi i Mustafës u ngrit mbi forcën e tij për të qenë ndryshe brenda vetë LDK’së.
Një tjetër dëshmi për hendekun e thellë mes pritshmërive të elektoratit dhe politikës së LDK’së është dhe rezultati i zgjedhjeve në Suharekë. Blerim Kuçi mundi të dalë, e madje të kryesojë në balotazh, duke e nxjerrë LDK’në jashtë loje, si kandidat i AAK’së, një parti pa shumë ndikim në këtë zonë. Kuçi është një tjetër rast par exellence i politikës as kështu e as ashtu të LDK’së. Ai ishte kryeshefi ekzekutiv i kësaj partie, që rreth një vit më parë u ngarkua me reformën, por në momentin që kjo reformë u pa si rrezik për drejtuesit e LDK’së, ata përsëri ngritën e frenat e dorës. Ashtu si në rastin e Isa Mustafës, edhe Blerim Kuçi kishte ecur më shpejt seç duhej. Por, po ashtu si në rastin e Isa Mustafës, Blerim Kuçi doli fitues, ndonëse jashtë LDK’së. Ajo pjesë e elektoratit që nuk është e kënaqur me qeverisjen e gjeti më mirë veten tek Blerim Kuçi se sa tek kandidati i LDK’së.
Me përfaqësimin e popullit opozitar mund të shpjegohet edhe një pjesë e rritjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje. Brenda një viti, kjo parti, ndonëse e vogël në përqindje mori përsipër të luajë rolin e opozitës reale në Kosovë. Duke përfituar nga ngërçi i LDK’së, flirtimet e AKR-së dhe habitja e LDD’së, partia e Ramush Haradinaj mbushi hapësirën opozitare të krijuar në Kosovë. Nëse ka një grupim politik të konsoliduar në Kosovë, që është PDK e Hashim Thaçit, po ashtu duhet të ketë një pol të kundërt që të mbledhë pjesën tjetër të elektoratit. Ajo forcë politike që arrin ta bëjë më mirë këtë ka shanse të rritet dhe të konkurrojë me PDK’në në zgjedhjet e ardhshme. Në këto zgjedhje, AAK’ja mori një vlerësim se ndoshta po ecën në rrugën e duhur.
Po të shohim në këtë kontekst edhe rënien e AKR’së, si një parti që nuk arriti kurrë të jetë opozitë e vërtetë, zgjedhjet në Kosovë e kanë dhënë një mesazh të qartë se skena politike ka nevojë të ndryshojë. Isa Mustafa, Blerim Kuçi dhe Ramush Haradinaj janë shenjat e qarta që kërkojnë një adresë, atë të opozitës së vërtetë në Kosovë.