E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse ngrihet Dashuria

Vargje nga Arben Duka

Mund të ndezim pak muzikë,

kundër gjithë kësaj zie,

Mund të gdhendim një lirikë,

a një vjershë dashurie…!

Le të dalim dy nga dy,

të lozim porsi mëllenjat,

Sbie kurrë në robëri,

kur të tuat i ke ndjenjat!

Mendja mund ti shkojë të marrit,

ndjenjat të na kontrollojë,

po blerimet e beharit,

nuk ka zot që ti ndalojë!

Unë e puth në sy rininë,

çmendem unë për ata sy,

ajo përqesh tiraninë,

me puthje dhe dashuri!

Dashuria shëron jetën,

në gjithë kuptimin e saj,

Kur ajo e merr stafetën,

i gjithë viti bëhet maj!

Për këngët e dashurisë,

unë kam qenë e jam një mjeshtër,

Vetë muzika e rinisë,

Si flori më rrjedh në eshtër!

Ende se arritëm fundin,

dhe pse kemi kohë mërzie,

po të keqen mund ta mundim,

dhe me këngë dashurie!

Që kur lindi njerëzia,

dashuria qe e para,

Po të ngrihet dashuria,

nuk do kemi më fanfara!

FALËNDERIM

Falënderoj nga zemra dhjetëra e dhjetëra dashamirës të mi dhe gazetës elitë Shekulli nga Shqipëria dhe të katër anët e botës për urimet e ngrohta që më kanë dërguar dje për ditëlindje. Përzemërsisht, Arben Duka

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›