Nesër hapet Tuneli i Murrizit, Balluku: Vepra infrastrukturore më e madhe e verilindjes

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi sot Tunelin e Murrizit, një vepër komplekse dhe sfiduese.
Nga Tuneli i Murrizit, Balluku informoi se ai do të hapet nesër për qarkullim, duke shënuar kështu edhe përfundimin e Rrugës së Arbrit, të cilën Balluku e quajti rruga e të gjithë shqiptarëve.
“Vite e muaj punë e palodhur në një vepër sfiduese infrastrukturore e cila padyshim është edhe vepra infrastrukturore më e madhe e verilindjes”, tha ajo.
Hapja e tunelit të Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik, tashmë për Veriun.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.
Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.
/a.f/