SHBA – Trump kërcënon me tarifa hakmarrëse 200% për verën evropiane

UASHINGTON, 13 mars /ATSH/- Presidenti Donald Trump kërcënoi sot se do të vendosë një tarifë 200% për verën, shampanjën dhe pijet alkoolike evropiane nëse Bashkimi Evropian zbaton planin për një tarifë shtesë ndaj uiskit amerikan, sipas AP.
Tarifa evropiane, e cila u zbulua në përgjigje të tarifave të çelikut dhe aluminit nga administrata amerikane, pritet të hyjë në fuqi më 1 prill.
Por Trump, në një postim në mediat sociale në mëngjes, u zotua për një përshkallëzim të ri në luftën e tij tregtare – nëse BE-ja zbatonte planin për vendosjen e një tarife prej 50% për uiskin amerikan.
“Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA-ja së shpejti do të vendosë një tarifë 200% për të gjitha Verërat, Shampanjat dhe produktet alkoolike që vijnë nga Franca dhe vendet e tjera”, shkroi Trump.
“Kjo do të jetë e mrekullueshme për bizneset e verës dhe shampanjës në SHBA”, shtoi ai.
Presidenti republikan sinjalizoi dje se kishte ndërmend të ndërmerrte masa.
“Sigurisht që do të përgjigjem”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
Duke shpallur tarifat e reja të çelikut dhe aluminit, Trump sfidoi hapur aleatët e SHBA-së.
Trump vendosi tarifa të veçanta për Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, dhe ka planifikuar të taksojë gjithashtu importet nga Bashkimi Evropian, Brazili dhe Koreja e Jugut duke vendosur tarifa “reciproke” duke filluar nga 2 prilli.
BE njoftoi dje planin për kundërmasa. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ndërsa SHBA-ja po aplikon tarifa me vlerë 28 miliardë dollarë, ne po përgjigjemi me kundërmasa me vlerë 26 miliardë euro”, ose rreth 28 miliardë dollarë.
Këto masa mbulojnë jo vetëm produktet e çelikut dhe aluminit, por edhe tekstilet, pajisjet shtëpiake dhe mallrat bujqësore. //a.i/