Nesër hapet rruga Prrenjas-Librazhd, kreu i ARRSH jep detajet

Qarkullimi në aksin Librazhd-Pogradec, konkretisht në segmenttin rrugor në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës”, do të jetë i hapur nga mesdita e të martës.
“Rruga do të hapet duke fuilluar nga nesër në orën 12:00. Gjatë kësaj periudhe, me masat që u morën, pra me devijimin e rrjedhës së lumit që të mos godiste më poshtë hekurudhës dhe me lehtësimin e trupit të rrëshkitur na shërbeu shumë për të gjithë punën parapërgatitore që u bë gjatë këtyre ditëve për të hapur trafikun. Segmenti do të jetë i hapur për të gjitha mjetet, kemi 4 ditë që e mbajmë nën monitorim të vazhdueshëm, edhe me mjete të rënda”, tha Ami Kozeli, drejtori i ARRSH.
Për rrugën alternative që do të ndërtohet mbi lumin Shkumbin dhe në krah të hekurudhës, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gati projektin, por jo datën për nisjen e punimeve.
“Ne si autoritet morëm vendimin e pezullimit të punimeve në korridorin 8 në këtë këtë segment deri në përfundim të punimeve për rrugën alternative që do të zhvillohet mbi lumin Shkumbin, në krah të hekurudhës. Punimet do të nisin sa më parë, ne sapo u njohëm me projektin, është e nevojshme të ndiqen procedurat mes institucioneve, shumë shpejt do të nisë edhe aty puna, por jemi shumë më të lehtësuar sepse po i rijapim frymëmarrje qarkullimit në juglindje sipas rrugëtimit të mëparshëm”, shtoi Kozeli.
Rruga alternative do të ketë gjatësi 1.3 km dhe një lartësi që do të variojë nga 5 metër deri në 10 metër. Ai aks do të ketë gjerësi 9 metër, pra 2 korsi nga 3.5 metër dhe dy bankina jo të asfaltuara nga 1 metër secili krah dhe do të jetë i aksesueshëm nga të gjitha mjetet./vizionplus.tv