E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër nis java e votimit të dekreteve të Gjykatës së Lartë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se “dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të votohen në seancën e ditës së enjte, me votim të fshehtë”. “Ditën e hënë Kuvendi do të votojë për imunitetin e deputetit Fatmir Mediu. Menjëherë, në seancën e pasardhëse të së e enjtes, do të votohen dekretet, me votim të fshehtë, sikurse është vepruar gjithmonë. Asnjëherë nuk është thënë se do të votohet raporti i komisionit të Ligjeve për këtë çështje. Raporti është një dokument parlamentar që i dorëzohet dhe i shpërndahet të gjithë deputetëve e institucioneve, meqë jemi në rastin e një problemi që ekziston tashmë, të cilin parlamenti duhet ta zgjidhë, pavarësisht nga një mospërputhje apo anashkalim që i është bërë ligjeve ekzistuese”, u shpreh, kryetarja Topalli. Ndërsa, nënkryetari i komisionit parlamentar për çështjet ligjore Fatmir Xhafa ishte i pari që në kuadër të reformës në drejtësi propozoi pak kohë më parë hartimin edhe të një ligji të tillë për rolin e presidentit. Sipas Xhafës presidenti është i vetmi institucion, puna e të cilit nuk është rregulluar përmes një ligji të posaçshëm. I të njëjtit mendim është edhe deputeti i komisionit të ligjeve, juristi i njohur, Spiro Peçi, i cili u shpreh se duhet që kreu i shtetit të kishte një ligj që të caktonte mënyrën e detajuar të funksionimit. Në kushtetutë janë 38 nene që përcaktojnë aspekte të veçanta të veprimtarisë dhe rolit të kreut të shtetit. Përveç kushtetutës, funksionet dhe kompetencat e presidentit janë pasqyruar edhe në rreth 15 ligje të veçanta që kanë të bëjnë me institucione të posaçshme. Ndërkohë që po në kushtetutë neni 6 i saj citon se veprimtaria e institucioneve rregullohet nëpërmjet një ligji organik, mungesa e të cilit duket të jetë një arsye e fortë e përplasjes mes dy institucioneve me të rëndësishme në vend, Presidencës dhe Kuvendit te Shqipërisë. Dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e lartë kanë ngjallur së fundi një debat të fortë maxhorancë-opozitë, ku kjo e fundit këmbëngul në votimin e tyre të shpejtë në parlament. Ndërkohë, shumica është shprehur që për plotësimin e vendeve vakante në këtë Gjykatë, duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetutese i 18 janarit 2005, i cili interpreton kushtetutën në rastet e emërimeve reja në këtë organ të lartë të gjyqësorit
Hermetizmi logjik i Braçes: Bllokimi i dekreteve, lojë për të penguar hetimin e Gërdecit!/Partia Socialiste komunikoi dje, pozicionin e saj ndaj kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për imunitetin e ish-ministrit Mediu. “Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ka qenë vendosmërisht pro, kërkesës së prokurorisë së Përgjithshme, për të vënë nën hetim, ish- ministrin e Mbrojtjes, Mediu në lidhje me ngjarjen në Gërdec”, tha dje nënkryetari i Grupit Parlamentarë të PS-së, Erion Braçe. Por përkundrejt kësaj, PS nuk harron të përmendë edhe hetimin për Gërdecin, për të cilin ka kompetencë arsyetimi dhe akumulimi vetëm organet kompetente dhe jo forcat politike, sic po priqet të luajë Partia Socialiste. “Zvarritja e kërkesës së Prokurorisë, ka patur për qëllim bllokimin e hetimeve, largimin në kohë të tyre nga data e krimit, dhënien e mundësive keqbërësve të përfshirë në krim, të zhdukin e deformojnë faktet që provojnë krimin”, tha Braçe. Sipas socialistëve vetëm për Gërdecin në këshillimin e imuniteteve kanë mbërritur 3 raporte, e kjo është e papranueshme. Situata e paqartë në Kuvend sipas Braçes lidhet me mundësinë për pafajësi politike që Berisha po i jep të përfshirëve në ngjarjen e Gërdecit. Nënkryetari i deputetëve socialistë duke denoncuar mos futjen në rendin e ditës të Kuvendit as të imunitetit e as të propozimeve të presidentit, i kërkoi kryeparlamentares që të hënën veç Mediut të votohen edhe dekretet e presidentit. Në seancën e ditës së enjte socialistët u larguan nga salla duke deklaruar se nuk do të kthehen derisa sa të vijnë dekretet e presidentit Topi, por megjithë presionin e socialistëve vetë kryetarja e Kuvendit lajmëroi se votimi për Gjyaktën e Lartë do të bëhet në datat 19 ose 23 qershor pas heqjes së imunitetit të Mediut.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›