Izraeli njofton ndërprerjen e luftimeve në disa pjesë të Gazës, ndërsa agjencitë kritikojnë dërgesat e ndihmave nga ajri

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë deklaruar se do të ndërpresin aktivitetin ushtarak për qëllime humanitare duke filluar nga kjo e diel (27 korrik) në Rripin e Gazës.
“Përveç kësaj, rrugë të sigurta të caktuara do të jenë në vend përgjithmonë nga ora 06:00 deri në 23:00 për të mundësuar kalimin e sigurt të konvojeve të OKB-së dhe organizatave të ndihmës humanitare që shpërndajnë ushqim dhe ilaçe për popullsinë në të gjithë Rripin e Gazës.”, thuhet në deklaratë.
Izraeli ka rifilluar dërgimin e ndihmave humanitare nga ajri në Rripin e Gazës, disa ditë pasi më shumë se 100 agjenci ndihme dhe organizata joqeveritare paralajmëruan për një zi buke të afërt në enklavë.
“Dërgesat do të përfshijnë shtatë paleta me ndihma që përmbajnë miell, sheqer dhe produkte të konservuara, të cilat do të sigurohen nga organizatat ndërkombëtare”, tha IDF në një deklaratë.
Izraeli është përballur me presion në rritje nga qeveritë perëndimore, me agjencitë e ndihmës që paralajmërojnë se uria masive po përhapet në Gaza.
/rtsh.al/