E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja e debatit për taksat

Për fat të mirë në këtë fushatë ekonomia pati një rol në temat e saj. U dol jashtë butaforisë elektorale dhe u fol në terma konkretë. Për herë të partë Berisha ishte i djathtë dhe ka promovuar politika të tilla. Taksa e sheshtë ka vite që është marka dalluese e tij dhe pavarësisht barazitizmit që i vishet këtij taksimi, dihet që favorizon më shumë të pasurit dhe drejtësia e saj është vetëm iluzion.
Gjithashtu Edi Rama filloi të flasë konkretisht për ekonominë dhe taksën e sheshtë. E kuptoi se kjo ishte thembra e Akilit e kundërshtarit. Klientelë apo biznese të ndershme, tashmë është një shtresë të pasurish shqiptarë që janë të lidhur me Berishën dhe pëlqejnë politikat e tij. Kjo klientelë e shtyu kryetarin e PD-së të dalë në mbrojtje të taksës së sheshtë. Zjarri i Berishës në mbrojtje të saj i dha të kuptojë kryetarit të PS-së, se e kishte kapur kundërshtarin në një vend që i dhimbte. Pas kësaj, qoftë për taktika politike apo ideologjike, lufta kundër taksës së sheshtë u kthye në kalin e betejës të së majtës. Duke i shkaktuar jo pak dëme kundërshtarit. Dhe duke ofruar si kundërpeshë taksën progresive.
A është e drejtë taksa progresive në ekonomi, apo jo? Kjo është një pyetje që përgjigja pozitive vlen për disa vende dhe nuk vlen për të tjera. Ligjësitë ekonomike, ashtu si ato juridike, janë një kostum që pritet sipas masës së trupit të klientit dhe nuk ka një formulë përgjithësuese. Vetë partizani i taksës së sheshtë dhe reklamuesi i vetive çudibërëse të saj, nobelisti Milton Fridman, e rekomandonte kryesisht për vendet me administratë të dobët dhe të korruptuar. E shikonte si rrugën më të lehtë për të marrë atë që mund të merret, në kushtet kur një aplikim i sistemeve fiskale më të sofistikuara kërkon një administratë më të stabilizuar dhe profesionale. Fundja, të pjesëtosh me dhjetë dhe të marrësh rezultatin e bën edhe një polic me dy klasë shkollë, ose pa të fare.
Ndërkohë, Keynes, një partizan i ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, ka lënë pas dishepuj që e shohin të domosdoshme. Të kuptohemi që debati nuk është në nivele të tilla rudimentare si në Shqipëri. Tek ne, që nga kryeministri dhe derivatet e tij mendojnë ende se liberalizmi i shprehur në formën e tij ekstreme të theçerizmit dhe reganekonomisë janë shpëtues të ekonomisë dhe nuk e kanë marrë mundimin të lexojnë se pikërisht moskontrolli i bankave nga shteti dhe liria e shfrenuar e tyre solli krizën financiare dhe shtrirjen e saj në të gjithë sektorët. Po ashtu në vendet e zhvilluara, as nuk diskutohet nëse duhet aplikuar taksa e sheshtë apo jo, pasi konsiderohet primitive të shtrohet ky problem. Por çështja ngrihet nëse duhet të rritet ndërhyrja e shtetit në ekonomi nëpërmjet ndërhyrjes me mekanizmin e taksave.
Paul Krugman, edhe ky çmim Nobel në ekonomi dhe editorialist i “New York Times”, sjell dy shembuj kur rritja e taksave ka bërë çudinë. Rasti i parë është me ardhjen në fuqi të Bill Klinton dhe ndërhyrja e parë e tij në ekonomi ishte rritja e taksave. Në kundërshtim me gjithë këshillat, dhe të Krugman përfshirë, që i rekomandonin të kundërtën, Klinton dhe hija e tij ekonomike Grinspan (guvernatori i Federal Reserve) rritën taksat. Duke sjellë në kundërshtim me gjithë parashikimet, një bum ekonomik. Kur Klinton la Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë pas pesë dekadash, buxheti amerikan ishte me plus.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, një tjetër demokrat, Obama, në kushtet e një krize përsërit të njëjtën terapi, duke dhënë shenja se trupi i sëmurë i ekonomisë të SHBA po reagon. Aktualisht, papunësia është ulur me 2-3%, krahasuar me dy vjet më parë. Nuk është shumë, por është një shenjë pozitive. Vetë Krugman këtë radhë e përkrah dhe është optimist.
A mund të nxjerrë një mësim Shqipëria nga sa më sipër? Aq më shumë kur eksperimente të tilla janë për shoqëri të zhvilluara anglo-saksone, me kulturë dhe edukatë pune dhe biznesi, tërësisht ndryshe nga ambienti shqiptar. E keqja është se nuk ka një debat shkencor. Thëniet e kryeministrit Berisha, se taksa e sheshtë është edhe në Bibël dhe Kuran të bëjnë vetëm që të shpresosh se mendimi ekonomik i shefit të qeverisë shqiptare është i tillë vetëm për propagandë dhe nuk beson realisht se teori dymijëvjeçare janë kompatibël për krizat e shoqërive postindustriale. Por fatkeqësisht, jo vetëm për shkak të fushatës elektorale, ky debat nuk ekziston në qarqet shkencore. Qoftë për faktin se nuk ka më forume, apo institute akademike. Duke bërë që e ardhmja e vendit të lihet vetëm në dorë të politikaneve, të cilëve shpeshherë nuk iu pëlqen kostumi i ngushtë që i detyron ekonomia të veshin. Dhe me sjelljet e tyre e çojnë vendin në kriza afatgjata që zgjasin përtej mandatit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›