E Diel, 1 Nëntor 2026

New York Post: “Zhduken” 5.6 milionë dollarë për Qendrën Kennedy? Ric Grenell në qendër të akuzave, ish-avokatja e Trump e denoncon në Zyrën Ovale! Presidenti kërkon hetim

New YORK POST- Një përplasje e ashpër ka shpërthyer mes aleatëve të ngushtë të Presidentit Donald Trump, pasi Alina Habba, ish-avokatja e tij personale, e cila ka mbajtur postin e kryeprokurores federale në Nju Xhersi, ka akuzuar ish-drejtorin e inteligjencës dhe diplomatin, Ric Grenell se nuk ka depozituar miliona dollarë të dhuruara nga bashkëshorti i saj, miliarderi turk, për Qendrën Kennedy.

Skandali richard grenell Habba, 42 vjeçe, e cila u martua muajin e kaluar me Turhan Mildon, 29 vjeç, i tha Trump të premten, gjatë një takimi në Zyrën Ovale, se Grenell nuk kishte depozituar 5.6 milionë dollarë të dhuruara nga Mildon për Qendrën Kennedy, institucion të cilin Grenell e drejtoi si drejtor ekzekutiv deri në mars.

Presidenti Trump, i cili ka synuar të rinovojë qendrën e arteve skenike dhe ta riemërtojë atë duke përfshirë edhe emrin e tij, ia ka referuar akuzat këshilltarit juridik të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, për hetime të mëtejshme.

Pretendimet e Habba-s u raportuan fillimisht nga Axios, ndërsa rrëfimi i kësaj mediaje për takimin në Zyrën Ovale u konfirmua për The New York Post nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk dha një vlerësim mbi vërtetësinë e akuzave, si dhe nga një person i dytë pranë administratës, i cili beson se pretendimi i Habba-s është i vërtetë.

Një zyrtar i administratës i tha The Post se Grenell dyshohet se e kishte bindur Mildon, në fillim të vitit 2025, të kryente një transfertë bankare prej 17.6 milionë dollarësh, si pjesë e një marrëveshjeje biznesi në të cilën të dy ishin partnerë. Nga kjo shumë, 5.6 milionë dollarë supozohej të shkonin për Qendrën Kennedy.

Zyrtari nuk kishte dijeni se cila kompani dyshohet se i kishte marrë fondet.

Megjithatë, tre burime të tjera, të cilat në përgjithësi janë kritike ndaj Grenell, i thanë The Post se dyshojnë në vërtetësinë e pretendimeve të Habba-s.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se ishte “shumë skeptik se kjo është e vërtetë”.

Një tjetër zyrtar i administratës tha se e konsideron Grenell një person “të korruptuar”, por se drejtuesit aktualë të Qendrës Kennedy nuk kanë prova që të mbështesin rrëfimin e Habba-s.

Ndërkohë, një person pranë Shtëpisë së Bardhë e përshkroi Grenell si një njeri “vetëshkatërrues”, por shtoi se ai nuk është “aq budalla” sa të përfshihej në një veprim të tillë.

“Ajo duhet ta besojë këtë, sepse është një çështje vërtet serioze”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

“Zyra e Scharf do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje”, shtoi ai.

Një zyrtar i administratës deklaroi gjithashtu se avokatët e bashkëshortit të Habba-s i kanë dorëzuar dokumentacion zyrës së këshilltarit juridik të Shtëpisë së Bardhë.

Grenell, i cili shërben si i dërguari i posaçëm i Trump për misione speciale, mohoi çdo shkelje apo përfshirje në veprime të paligjshme.

“Absurde. Unë nuk kam kërkuar kurrë që qoftë edhe një cent të dërgohej diku tjetër, duke pretenduar se ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij”, deklaroi Grenell.

“Detyrojeni të paraqesë prova për ato që thotë, në vend që të bëjë këto akuza absurde”, shtoi ai.

Axios citoi një zyrtar të administratës, sipas të cilit stafi i Qendrës Kennedy kishte kërkuar vitin e kaluar të gjente një kontribut prej 6 milionë dollarësh nga Mildon, por nuk kishte arritur ta identifikonte.

Megjithatë, një ish-punonjës i qendrës, i identifikuar me emër dhe që ishte përgjegjës për administrimin e donacioneve, deklaroi se në regjistrat e institucionit figuronte vetëm një zotim për dhurim prej 270 mijë dollarësh, shumë e cila ishte paguar më vonë.

Edhe pse Grenell dhe Habba dikur kishin marrëdhënie miqësore, mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi konkretisht prishjen e marrëdhënies mes tyre.

Grenell kishte shërbyer më parë si i dërguar i Trump për bisedime me presidentin e atëhershëm autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro, i cili u kap nga forcat amerikane më 3 janar, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike.

Mildon ka interesa biznesi në Venezuelë, ku operon uzina çimentoje në pronësi të shtetit.

Pas largimit të Maduros nga pushteti, presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez anuloi në qershor kontratën e Mildon për administrimin e këtyre uzinave.

Megjithatë, The New York Times raportoi të hënën se Rodríguez kishte ndryshuar qëndrim dhe kishte pezulluar vendimin për ndërprerjen e kontratës së Mildon, pasi kishte mësuar për marrëdhënien e tij me Alina Habba-n.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›