“New York Times”: Këshilltarët e Trump u paguan mbi 1,6 milionë dollarë nga opozita shqiptare

NJU JORK, 4 nëntor /ATSH/- Konsulentët që punuan në fushatat presidenciale të Donald J. Trump u paguan më shumë se 1,6 milion dollarë – për të këshilluar partinë opozitare konservatore shqiptare mbi strategjinë e saj për zgjedhjet parlamentare në maj, thuhet në një raport financiar, sipas “New York Times”.
Në raportin, të paraqitur në komisionin zgjedhor të Shqipërisë, Partia Demokratike e Shqipërisë zbuloi pagesa që arrinin një total prej më shumë se 1,62 milionë dollarë për kompaninë konsulente të Chris LaCivita, i cili ndihmoi në menaxhimin e fushatës së Trump në vitin 2024, dhe gati 65,000 dollarë për sondazhe nga kompania e Tony Fabrizio, i cili ka këshilluar operacionin politik të Trump.
Partia Demokratike e Shqipërisë humbi zgjedhjet e majit, pavarësisht përpjekjeve të LaCivita dhe Paul Manafort, i cili drejtoi fushatën e Trump në vitin 2016, për ta pozicionuar udhëheqësin e partisë, ish-presidentin Sali Berisha, si një lloj figure të ngjashme me Trump.
“Pagesat, në monedha shqiptare, u kryen gjatë një periudhe prej më pak se katër muajsh, duke filluar nga mesi i shkurtit dhe duke përfunduar në fund të majit”, sipas raportit.
LaCivita punoi si pjesë e një ekipi në Shqipëri me Fabrizio dhe Manafort.
Marrëveshja ngre mundësinë që kompania e LaCivita, “Advancing Strategies”, mund të ketë nënkontraktuar Fabrizio dhe Manafort, e cila është një strukturë standarde për konsulentët e fushatave.
Të tre këta individë kanë ofruar shërbimet e tyre si ekip për fushata të tjera jashtë vendit që nga fitorja e Trump, vjeshtën e kaluar.
Konsulentët politikë amerikanë që fitojnë garat presidenciale në SHBA shpesh janë shumë të kërkuar në të gjithë botën dhe nuk është e pazakontë që ata të përfitojnë nga fushatat e huaja.
LaCivita, i cili udhëtoi në Shqipëri disa herë gjatë fushatës për të mbështetur Berishën, nuk pranoi të komentonte. Manafort dhe Fabrizio nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, gjithashtu.
LaCivita dhe Manafort e paraqesin Berishën si viktimë të “një gjuetie shtrigash” të organizuar nga rivalët vendas dhe demokratët, përfshirë megadonatorin miliarder, George Soros dhe administratën e ish-presidentit Joseph R. Biden Jr.
“Berisha po përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronësore dhe në vitin 2021 ai u sanksionua nga administrata Biden për “korrupsion të konsiderueshëm”, sipas një deklarate të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Ai e akuzoi Berishën për përvetësim të fondeve publike dhe për përdorimin e pushtetit të tij për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij.
Pasi partia e Berishës humbi ndaj Partisë Socialiste në pushtet të kryeministrit Edi Rama, LaCivita përforcoi pretendimet e Berishës se zgjedhjet ishin manipuluar.
Një rinumërim i kërkuar nga partia e Berishës nuk i mbështeti këto pretendime. //a.i/