E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neymar parakontratë me Barcelonën

Martesa mes Barcelonës dhe Neymar duket se do të bëhet. Sipas gazetës katalanase “Sport”, tashmë ka pak dyshime sepse në Nëntor të vitit 2011, ylli brazilian i Santosit ka firmosur një parakontratë me ekipin spanjoll. Marrëveshja parashikon një opsion preferencial për Barcelonën, por ka gjithashtu edhe një klauzolë penale. Nëse gjithçka rezulton e vërtetë, bëhet fjalë thjesht për çështje kohe që ta shikojmë talentin brazilian në “Camp Nou” sepse kontrata aktuale e tij me Santosin skadon në mesin e vitit 2014, menjëherë pas përfundimit të botërorit.

Pak kohë më parë, një sinjal të qartë ka dhënë edhe presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, i cili është shprehur i gatshëm për të pritur deri në përfundim të kontratës aktuale që e lidh lojtarin me klubin paulist. I pyetur nga gazetarët nëse afrimi i tij do të krijonte probleme për Messin, ai është shprehur me diplomaci, duke deklaruar se lojtarët e mëdhenj e gjejnë përherë rrugën e bashkëpunimit mes tyre. Të dhënat flasin qartë, Neymar e ka të hapur derën e një prej klubeve më të mëdha në botë, ai mjafton që ta shtyjë për të hyrë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›