Neza: Parlamenti trajtoi çështjen “Berisha”, si politike

Analisti Sami Neza, në emisionin ‘3D’ në RTSH, komentoi se Këshilli i Mandateve kishte sot një mundësi të artë për ta depolitizuar çështjen e Berishës me SPAK, pasi, sipas tij, duhej të merrte vendimin që ta shtynte mbledhjen deri në një interpretim të Gjykatës Kushtetuese rreth kësaj çështje.
“Ne kishim një ngjarje dhe ajo ishte votimi për heqjen e imunitetin ndaj Berishës. Kur bëhet fjalë për masa shtrënguese kërkohet autorizimi i Kuvendit. Parlamenti kishte mundësi ta nxirrte çështjen nga procesi politik. Që në fillim procesi mori ngjyrë politike, duke filluar që nga SPAK, e më pas nga aktorët politikë dhe mediatikë. Të gjithë kanë folur në hesap të tyre. Kuvendi duhej të merrte parasysh kërkesën e avokatit të Berishës, që të shtyhej çështja deri sa Kushtetuesja të merrte një vendim. Duhej mbrojtur edhe SPAK-u, pasi Kuvendi kishte mundësi t’ia bënte këtë nder. Mazhoranca mburret se SPAK është krijesë e vetja. Ka 4 javë kjo çështje. Është një moskuptim i madh i Kuvendit ndaj kësaj çështje, duke i hapur rrugë më tej interpretimeve politike. Shtyrja nuk prishte procesin hetimor.”, tha Neza.
/rtsh.al/