Ng
• Blendi KajsiuPrej kohësh zëra brenda dhe jashtë PD-së flasin për ndryshime apo riformatim të qeverisë Berisha. Flitet shumë për rishpërndarje postesh, por pak për kriteret, sipas të cilave duhet të ndodhë diçka e tillë. Në këto kushte ndryshimet në qeveri, edhe sikur të ndodhnin nuk do të nxirrnin në pah asgjë më tepër, përveçse domosdoshmërinë e ndryshimeve të tjera, e kështu pafund. Derisa në një pikë do bëhej më se e qartë që ndryshimi themelor duhet bërë te kreu dhe jo anëtarët e qeverisë. Secili prej ministrave në veçanti apo të gjithë së bashku në përgjithësi, janë krejt të parëndësishëm ...përballë kryeministrit. Është ai që më shumë se kushdo tjetër i jep tonin dhe formën qeverisjes, pavarësisht se kush është ministër në cilin kabinet. Prandaj ndryshimi i tonit apo mënyrës së qeverisjes që synon riformatimi, nuk mund të ndryshojë me ndërrim ministrash.Mbase pikërisht këtë ka kuptuar kryeministri aktual, teksa mohonte nevojën për ndryshme në qeveri. Këto ndryshime veçse do të theksonin nevojën e një ekipi të ri qeverisës, me një kryeministër tjetër. Kjo nuk do të thotë se qeverisja aktuale nuk ka nevojë për ndryshime apo për një vrull të ri. Pushteti konsumon çdo qeveri edhe sikur të jetë e suksesshme, jo më qeverinë aktuale, që së fundmi ka humbur edhe fabulën e anti-korrupsionit. Por kjo është e pamundur për momentin. Jo thjesht sepse nuk do Berisha, por sepse të gjitha figurat kryesore politike brenda gardhit të PD-së janë reduktuar në kopje të kryeministrit. Është e pamundur që suksesin që nuk e arrin dot origjinali, ta arrijë kopja e tij.Këtu qëndron edhe ngërçi themelor i Partisë Demokratike. Ajo është identifikuar kaq shumë me liderin e saj, saqë asnjë ndryshim cilësor nuk është i mundur. Natyrisht ministra mund të vijnë dhe të ikin, por qeveria do të mbetet e njëjtë, qeveria Berisha. Që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005, kjo parti gradualisht ka humbur të gjitha shtresat me të cilat u mbështoll lideri i saj. KOP-i është reduktuar te ministri Basha, që politikisht është i njehsuar me Berishën. Të rikthyerit dhe ish-themeluesit kanë humbur protagonizmin politik pas dyerve të mbyllura. Protagonistët me profil të lartë politik të PD-së gjatë viteve të saj në opozitë, si Spartak Ngjela apo Besnik Mustafaj, janë përjashtuar ose heshtur. Ndërsa i vetmi profil origjinal dhe me individualitet politik i PD-së, Bamir Topi, është larguar drejt Presidencës. Tashmë në PD ka ngelur vetëm Berisha dhe sozet që gjithnjë e më tepër i ngjajnë atij.Prandaj edhe kriza e identitetit të PD-së është e njëjtë me krizën e identitetit të liderit të saj. Sot PD-ja dhe lideri i saj janë të dyzuar midis fshatit dhe qytetit, midis ish-pronarëve dhe të ardhurve, midis ish-komunistëve dhe ish të persekutuarve, midis bizneseve dhe punëtorëve, e kështu me radhë. PD-ja është një parti që u themelua si anti-komuniste, por që sot ka një kryetar ish-komunist përballe një PS-je me të parin kryetar që nuk ka dalë nga organika e Partisë së Punës. PD-ja dikur u themelua si lëvizje e kryeqendrave më progresive urbane, ndërsa në zgjedhjet e fundit ajo votat i mori në zonat më të thella rurale. Natyrisht që edhe PD-ja dhe baza e saj do të evoluojnë, pyetja shtrohet në cilin drejtim? Që nga riardhja e saj në pushtet në 2005, PD-ja ka ecur vetëm në një drejtim; në drejtim të liderit të saj, duke u njehsuar tërësisht me të. Aq sa çdo ndryshim real që do të nënkuptonte ndryshimin e liderit, do të përbënte edhe një kërcënim real për vetë ekzistencën e saj.Në këto kushte asnjë ndryshim apo riformatim real nuk mund të ndodhë në qeverisje. Tashmë PD-ja nuk ka luksin që kish dikur PS-ja, e cila konsumimin e qeverisjes e përballonte duke ndryshuar kryeministrat dhe ekipet qeverisëse. Një lëvizje kjo që çdo forcë politike e bën për të ndenjur në pushtet. Mjafton të kujtojmë këtu zëvendësimin e Tony Blair nga Gordon Brown, pavarësisht nga arritjet madhështore politike të Blair. Përkundër këtyre rasteve, PD-ja ka ngecur te vetë lideri, që përbën njëkohësisht kushtin e ekzistencës dhe të bllokimit të saj. Prandaj sa më shumë konsumohet qeverisja e PD-së, siç konsumohet çdo qeverisje, aq më pak ajo është e aftë ta ridimensionojë atë. Përballë konsumimit qeverisës, PD-ja thjesht shtrëngon radhët rreth liderit, edhe pse grupime apo individë brenda saj përplasen me njëri-tjetrin. Në thelb këto përplasje nuk janë veçse deklarata besnikërie dhe devotshmërie ndaj liderit dhe denoncime të kundërshtarëve që nuk e duan liderin edhe aq sinqerisht sa ata. Deklarata që i tregojnë liderit kontributet në kohë të vështira përkundër përfitimeve të rishtarëve në pushtet. Natyrisht përplasje të tilla nuk mund ta ridimensionojnë qeverisjen. Ato maksimalisht mund të prodhojnë një rishpërndarje postesh në qeveri. Ama kjo rishpërndarje nuk do ta bëjë qeverisjen më përfaqësuese, ajo thjesht do ta bëjë qeverinë akoma më identike me kryeministrin, nga ku buron edhe vetë konsumimi i qeverisjes. Tashmë e vetmja mënyrë për t'u bërë ministër në PD është të bëhesh një kopje sa më ideale e kryeministrit. Politikanë të kalibrit Ngjela, të cilit ky kallëp i rrinte tepër ngushtë, jo vetëm që nuk mund të bëheshin ministra, por nuk mund të rrinin as brenda PD-së. Prandaj, fatkeqësisht shanset janë që PD-ja drejt zgjedhjeve të ardhshme do të shkojë me një ofertë të vjetër, që nuk do mund të mbulohet nga ministra të rinj.