Replik
• Ilva TareE lexova me vëmendje shkrimin e zotit Edi Zaloshnja në gazetën "Panorama", ku ai rrekej të më sqaronte atë që analisti Zaloshnja mendoi se unë nuk e kisha të qartë në lidhje me Edin e opozitës dhe projektin e tij politik. Në fakt, Rama për hir të një kompleksi ndaj asaj që e quan politikë e vjetër, preferon ta emërtojë lëvizje qytetare në përpjekje për të mos u asociuar me gardën e vjetër të politikës, së cilës ai thotë se i ka shpallur luftë. E vërteta është se edhe tentativa nga Lushnja e Ramës për të shpjeguar idenë e tij të qytetarit të shqetësuar për hallet e vendit, nuk bindi askënd, me përjashtim të miqve të tij brenda apo jashtë vendit. Udhëheqësi i sotëm i opozitës duhet të jetë në dijeni të dimensionit të ndryshëm që ka projekti i shoqërisë civile me projektin politik. Dhe ky dimension, pavarësisht se i drejtohet qytetarit, ka lidhje të drejtpërdrejtë me pushtetin. I vetmi dallim është se qytetari nuk është kontrollues i sistemit, porse këtë rol e kryen opozita, kur ajo është politike dhe aktive si një forcë e tillë dhe jo si rudiment i shoqërisë civile.Besoj se edhe zoti Zaloshnja bashkohet me mua, kur them se beteja e fakteve bëhet nga një opozitë që ka peshë politike, ekzaktësisht aty ku Edi Rama nuk është i përfaqësuar sot, në Parlament. Me sa jam në dijeni edhe në SHBA kështu ndodh me kartonët pro dhe kundër. Sikur betejat t'i ishin besuar gjithmonë qytetarit, qoftë ky i dëshpëruar dhe i dëshiruar për të mos u dorëzuar, sikundër Rama pretendon se është, atëherë do të ishin prodhuar veçse revolucione. E mandej e vetmja mënyrë për të shprehur pakënaqësinë për qytetarët, do të kishte mbetur rruga dhe asesi institucionet, të cilat janë dhe mekanizmi funksionues i demokracisë. Është krejtësisht në dorën e Ramës të zgjedhë se cilën rrugë preferon të ndjekë, atë të revolucionit pa pushtet apo të revolucionit për pushtet. Porse është plotësisht në dorën e shqiptarëve të besojnë se kjo e dyta është e vetmja arsye e Ramës sot në politikë dhe për më tepër është motivi kryesor që e bën kreun e PS-së të konsumojë e stërkonsumojë kartën e populistit.Fakti që Artur Finkelstein darkon, drekon apo sondon opinionin i paguar nga Rama, nuk do të thotë automatikisht se mundësia për t'i lejuar vetes një këshilltar amerikan, pas tri mandateve kur je marrë me lejet e ndërtimit të Tiranës, të krijon edhe idenë politike të qartë. Andaj, argumenti se Edi Rama e di se ku po shkon, meqenëse është marrë për dore nga një guru i marrëdhënieve publike edhe në SHBA është krejt i parëndësishëm për Edin e Shqipërisë e përtej saj.Me vlerë për shqiptarët, që nuk urdhërohen dhe frymëzohen nga sms-të e Ramës, është dallimi midis shtetarit e politikanit dhe ky është asgjë më shumë e asgjë më pak, sesa vizioni. Shtetari ka vizion politik dhe nuk është i veshur me demagogji apo retorikë si ajo që Rama rëndom konsumon dita-ditës.Udhëheqësi i PS-së aktualisht po bën veçse një demagogji transparente, duke kontribuar në rëndimin e hendekut midis pushtetit dhe qytetarit. Të gjithë e dimë se demagogu identifikohet me popullin, tamam ashtu siç po ndodh në takimet mediatike të Ramës nëpër komuna me bujq e blegtorë.Është krejt e pamundur të ngatërrosh shtetarin nga politikani, pasi i pari udhëhiqet nga vizionet për historinë politike, ndërsa i dyti ushqehet me epshin për pushtet. Për fund, vetë fakti që qytetari është në fund të fundit një kategori politike, është e mjaftueshme për të argumentuar se zoti Rama nuk ka sesi të zërë vend si qytetar duke e shmangur veten nga politika, qoftë kjo para apo edhe mbrapa provës së 2009-ës.