Nga 1 korriku rriten pagat dhe pensionet
Nesër hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave
Pavarësisht krizës ekonomike, nga dita e nesërme pensionistët shqiptarë do të përfitojnë më tepër të ardhura nga pensioni i tyre. Në projektvendimin e Ministrisë së Financave shpjegohet se pensionet do të rriten 3.5 përqind për qytetin dhe 5 përqind për fshatin. Ndërsa vendet e rajonit dhe Europa janë të përfshira nga një sërë reformash shtrënguese për shkak të krizës, qeveria shqiptare edhe për këtë vit, vijon me politikat e saj rritëse për pagat dhe pensionet. Prej rritjes së pagave dhe pensioneve pritet të përfitojnë mbi 560 mijë pensionistë që janë pjesë e kësaj skeme. Përsa i përket pensionit minimal në qytet rritja do të jetë me 3,5%, një pension minimal në qytet do të bëhet 11.506 mijë lekë, që duke përfshirë edhe pjesën tjetër të subvencioneve, në fund do të arrijë 13.656 mijë lekë/muaj. Pra, në total, shtesa që qeveria do të bëjë për një pension minimal qyteti do të jetë 389 lekë në muaj. Edhe për pensionin maksimal në qytet rritja do të jetë po me 3,5%. Këto të fundit do të rriten gjithashtu me 3.5 për qind nga qeveria. Nëse aktualisht një pension maksimal qyteti shkon 22.234 lekë/muaj, ai do të bëhet 23.012 lekë/muaj dhe shtesa përkon me 778 lekë në muaj. Rritja e pensioneve do të përfshijë edhe zonat rurale. Nga 1 korriku edhe pensionistët në fshat do të përfitojnë në shtesë me 5% të pensioneve, duke e çuar vlerën e pensionit të fshatit nga 7.468 lekë që është aktualisht, në 7.841 lekë në muaj. Nëse vlerës fillestare i shtojmë edhe masën e subvencioneve pas 1 korrikut, një pensionist në fshat do të marrë një pension 8.731 lekë në muaj. Po ashtu një rritje me 5 përqind do të pësojnë edhe rrogat e ulëta të administratës dhe 1 përqind ato të larta.
Një skemë më e qartë paraqitet më poshtë:
Pagat pas rritjes
Paga mesatare e arsimtarit në sistemin arsimor të mesëm 58.829 lekë
Pagesa mesatare e arsimtarit në arsimin 9-vjeçar 51.900 lekë
Paga mesatare e mjekut 575.530 lekë
Paga mesatare e infermierit 367.250
Pensionet pas rritjes
Pensionet e fshatit 8 731 lekë
Pensionet minimale në qytet 13.656 mijë lekë
Pensionet maksimale 23.012 mijë lekë