Nga 1 maji, energjia elektrike në Kosovë do të kushtojë 16% më shtrenjtë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë së Kosovës miratoi sot kërkesat e tre operatorëve të sektorit energjetik, Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut; Kompanisë për Shpërndarje të Energjisë Elektrike dhe Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga data 1 maj.
Vlera e rritjes nuk u bë e ditur gjatë mbledhjes së Bordit të ZRRE-së, por në një komunikatë të mëvonshme, Rregullatori saktësoi se rritja mesatare e tarifave është përafërsisht 16 për qind.
“Kërkesa/propozimi fillestar i KOSTT-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OST/OT – ka qenë 101.878 milionë euro, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88.198 milionë euro; Kërkesa/propozimi fillestar i KEDS-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OSSH ka qenë 214.45 milionë euro, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro; Kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qenë 447.626 milionë euro, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 milionë euro, ku përfshihen operatorët e licensuar OSSH dhe OST/OT. Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale, është rreth 16%,” njoftoi ZRRE-ja.
Muajin e shkuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë u shpreh se kërkesa për rritjen e çmimit bazohej mbi faktin se është ulur prodhimi i energjisë në vend dhe është rritur konsumi. Kërkesa për shtrenjtimin e çmimit u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarët, që protestuan javën e shkuar dhe pritet të protestojnë edhe këtë të premte.
Qeveria e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të mos ndërmarrë hapa për rritjen e çmimit për konsumatorët që konsumojnë më pak se 800 kilovat-orë në muaj. Për momentin, për këtë kategori konsumatorësh çmimi është 7,79 cent për kilovat gjatë ditës dhe 3,34 cent për kilovat gjatë natës.
Tre operatorët që veprojnë në sektorin e energjisë pretenduan se rritja e këtij çmimi në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar ndjeshëm në të ardhurat e tyre.
Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë që i nevojitet 1,6 milion banorëve të saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës përmes termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.
/rtsh.al/