PE për heqjen e masave ndaj Kosovës, reagon Kearns: Lajm i vonuar. Thirrjet të merren në konsideratë

Një ditë pas miratimit nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian të draft-rezolutës që mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kërkon heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj vendit, ka reaguar dhe deputetja britanike Alicia Kearns.
Kjo e fundit, përmes një reagimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar miratimin e draft-rezolutës si hap si të rëndësishëm, duke theksuar nevojën për ekuilibër në politikën e BE-së ndaj Ballkanit.
“Lajm i vonuar dhe jashtëzakonisht i mirëpritur – ekuilibri duhet të kthehet në botë, dhe veçanërisht në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit, shpresoj që këto thirrje të merren parasysh”, shkruan ajo.
Po ashtu, Riho Terras, raportuesi për Kosovën, theksoi se vendi i Kosovës në BE është i padiskutueshëm.
Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi dje (9 prill) draft-rezolutën që mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Në dokument, mbështetej gjithashtu kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për t’u bashkuar me NATO-n. Megjithatë, shprehej shqetësim për përparimin e kufizuar në sundimin e ligjit dhe dobësitë në sistemin e drejtësisë, si dhe për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Ky dokument do të diskutohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian gjatë verës për miratimin përfundimtar.
/rtsh.al/