E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga 1 qershori hyn në fuqi marrëveshja për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka njoftuar zyrtarisht se nga data 1 qershor 2025 do të nisë zbatimi i marrëveshjes dypalëshe për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila u dakordësua më herët mes dy vendeve.

Ky konfirmim vjen vetëm dy ditë pas Samitit VI të Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Tiranë, ku ishte e pranishme edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Dokumenti i sjellë nga pala italiane shënon përmbylljen e procesit ligjor dhe hap rrugën për përfitime konkrete për qytetarët.

“Lajmë i mirë dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian.

Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, shkruan Rama.

Kjo marrëveshje do të lejojë njohjen reciproke të viteve të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke u siguruar qytetarëve shqiptarë në Itali të drejtën për të marrë pensione sipas legjislacionit përkatës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›