Nga 1 shtatori paga e re për administratën publike
Rritje më të moderuar pagat e larta dhe emërtesat politike në administratë
Nga 1 shatori fillon sistemi i pagave të reja për të gjithë administratën publike të vendosur nga qeveria për vitin 2012. Kjo rritje e pagave vjen në një periudhë kur mbarë rajoni dhe Europa, ka sanksionuar ngrirjen për një periudhë 3-5 vjet të nivelit të pagave të parakrizës. Autoritet të larta të dikasterit të financave deklarojnë se rritja e re e pagave mundësohet nga vijimi i një trendi pozitiv në ekonominë shqiptare, si dhe nga rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit prej 4 % si 8-mujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Rritje më të moderuar kanë pësuar pagat e larta dhe emërtesat politike të administratës publike, duke mundësuar ngushtimin e mëtejshëm në diferencimin e pagave që ekzistonin në vitin 2005. Që nga ky vit pagat shtetërore janë mbidyfishuar, duke ndikuar direkt në mirëqenien e qytetarëve shqiptare.
Konkretisht, mbi bazën e kësaj rritje, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26.831 lekë (njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e një lekë), në vitin 2012 bëhet 59.235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005.
Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22.683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58.098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005.
Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15.044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35.618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005.
Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30.655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55.944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005. Afatet e rritjes së pagave do të nisin që nga muaji korrik.