E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Filipinet, në Burrel/ 25-vjeçari jeton e punon prej 2 muajsh në qytetin verior. I riu: Më pëlqen qyteti, njerëzit dhe kultura

Në zemër të Burrelit, një qyteti të qetë të veriut të Shqipërisë, prej gati dy muajsh Steven ale Ballesteros po ndërton jetën nga Filipinet. 25 vjeçari i ardhur mijëra kilometra larg, ka gjetur në Shqipëri jo vetëm punë, por edhe mikpritjen dhe kulturën që e kanë bërë të ndihet si në shtëpi.

Steven punon në sektorin e shërbimit, kryesisht si kamerier, por nuk heziton të ndihmojë edhe në kuzhinë sa herë ka mundësi. Gatimi është një nga pasionet e tij, sidomos kur bëhet fjalë për pica.

Unë jam nga Filipine. Këtu merrem kryesisht me shërbimin, por, ndihmoj edhe në bërjen e picave. Këtu më pëlqen, është shumë mirë. Ajo çfarë më pëlqen më shumë është kultura, njerëzit janë shumë miqësorë, të sjellshëm dhe të ngrohtë”.

Pjesa që e ka surprizuar më shumë është natyra shqiptare, malet e gjelbra, ajri i pastër dhe ritmi i qetë i qytetit. Ai tregon se Burreli i kujton vendlindjen e tij: një mjedis i qetë, larg zhurmës dhe trafikut të rënduar të Tiranës.

“Këtu në Burrel është më mirë se në Tiranë. Tirana është një qytet i madh, i zhurmshëm dhe me shumë makina. Ndërsa Burreli më duket si vendi im i lindjes, një qytet i vogël, me shumë gjelbërim, me ajër të pastër, dhe mjedis shumë miqësor. Malet më pëlqejnë shumë, por, sidomos moti sepse në Filipine është shumë vapë”.

Steven nuk i fsheh aspak fjalët që ka mësuar shqip, përkundrazi, i përdor me krenari , duke e bërë të lehtë komunikimin me klinetët dhe duke fituar menjëherë simpatinë e njerëzve.

Nuk është rastësi pse Steven ndodhet në Shqipëri, pasi ia ka sugjeruar miku I tij i ngushtë,  i cili po ashtu është punësuar në vendin tonë.

“Shoku im punon në Tiranë. Kjo është arsyeja pse unë ndodhem në Shqipëri, ai më inkurajoi të punoj këtu. Shqipëria është shumë e mirë, edhe Filipinet janë shumë të mira. Nuk e di ende, nëse do të jetoj këtu për shumë kohë. Të dy vendet i dua.

Historia e të riut Filipinas është një nga dhjetëra rrëfimet e të rinjve që largohen nga vendet e tyre për të ndërtuar një jetë të re. Midis kulturave, gjuhëve dhe sfidave të përditshme, ai ka gjetur në Burrel një vend ku ndihet i mirëpritur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›