Nga Greqia në Cërrik, fermeri: Investoni në tokën tuaj, do të jeni shumë herë më të kënaqur

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Kleo Bujku, i kthyer nga emigrimi në vitin 2013, zgjodhi të investojë në tokën e tij dhe sot menaxhon me pasion një sipërfaqe prej 5 dynymë serra në Cërrik.
Ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural Anila Denaj ka publikuar një video në rrjetet sociale të Kleo Bujkut i cili shprehet se është shumë i kënaqur me investimin e kryer.
“Kam sipërfaqe prej 5 dynymë serra, jam kthyer nga emigrimi në vitin 2013. Në Greqi zakonisht me bujqësi jemi marrë. Kam filluar me pak sipërfaqe, gradualisht duke i shtuar, kemi arritur derisa i kemi bërë 5 dynymë, kemi investuar këtu dhe jemi shumë të kënaqur deri tani”, tha bujku.
“Jemi të fokusuar te domatja dhe te kungulli, edhe spec të kuq. Punojmë më shumë për eksport. Me pikat e grumbullimit jemi korrekt. I ftojmë atdhetarët tanë, kush ka mundësi të investojë në tokën e vet do të jenë shumë herë më të kënaqur”, u shpreh ai.
Sipas Denajt, “Kleo aplikon metoda të mbrojtjes biologjike, duke garantuar produkte cilësore dhe të sigurta për konsumatorin”.
“Këto produkte Made In Albania nëpërmjet pikave të grumbullimit, arrijnë tregjet ndërkombëtare, duke kontribuar në rritjen e eksporteve bujqësore dhe fuqizimin e ekonomisë vendase”, thekson ministrja.
Denaj shtoi se “në vitin 2024, sipërfaqja e serrave arriti në 2200 hektarë, ose trefishi krahasuar me vitin 2013”.
1 nga 7/r.e/