E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Peja në Tropojë, Granit Agolli përshkon 50 kilometra për të punuar si kryekuzhinier

Granit Agolli nga Peja është një prej atyre shembujve që tregojnë se dashuria për profesionin dhe përkushtimi ndaj punës nuk njohin kufij. Prej disa muajsh ai udhëton çdo ditë nga Peja në Tropojë, duke përshkuar rreth 50 kilometra në ditë për të ushtruar profesionin e tij si kryekuzhinier në një prej restoranteve në hyrje të qytetit.

“Kam përfunduar 3 vite shkollë për kuzhinë. Ftesa ka qene spontane nëpërmjet miqve që me kanë ofruar ftesën si kryekuzhinier. Jam shumë i kënaqur, më mirë se të iki jashtë Shqipërisë”, thotë ai.

Gjatë qëndrimit në kuzhinë, ai kujdeset që çdo pjatë të ruajë shijen tradicionale të zonës, duke përdorur receta autentike që lidhen ngushtë me traditën shqiptare.

Ushqimet që përgatiten në restorant mbështeten kryesisht në produkte të zonës, të freskëta dhe të siguruara nga fermerë vendas, gjë që sipas tij e bën kuzhinën tropojane të veçantë dhe të kërkuar nga vizitorët.

Rasti i Granitit nuk është i vetmi. Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë qytetarë nga Kosova po gjejnë mundësi punësimi në Tropojë, kryesisht në sektorin e turizmit, hotelerisë dhe gastronomisë.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›